Vendosni fjalën kyçe....

Biden: Kërcënimet e pamatura të Putinit nuk na trembin


Presidenti Joe Biden ka paralajmëruar Rusinë se Shtetet e Bashkuara nuk do të frikësohen nga “kërcënimet e pamatura” pasi Vladimir Putin shpalli aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës.

Të premten, presidenti rus Putin u duk se bëri një kërcënim për të përdorur armë bërthamore për të mbrojtur ato rajone. Ai tha se ata do të jenë “përgjithmonë” ruse, por Ukraina u zotua t’i çlirojë ata.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se masa ruse ishte “përshkallëzimi më serioz që nga fillimi i luftës”.

Presidenti Biden i quajti “të pamatura” fjalët dhe kërcënimet e homologut të tij rus, por shtoi se Putin “nuk do të na trembë”.

“Amerika dhe aleatët e saj nuk do të frikësohen.”– tha Presidenti Biden në Shtëpinë e Bardhë, citon BBC.

Më pas ai iu drejtua drejtpërdrejt presidentit rus, duke drejtuar gishtin në kamerë.

“Amerika është plotësisht e përgatitur, me aleatët tanë të NATO-s, për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s.”- tha ai, duke iu referuar bllokut perëndimor të sigurisë.

“Zoti Putin, mos e keqkuptoni atë që po them: çdo centimetër”.

Menjëherë pas kësaj, zyrtari më i lartë i sigurimit kombëtar të Bidenit tha se ndërsa ekzistonte mundësia që Moska të përdorte armë bërthamore, nuk dukej të kishte një kërcënim të afërt.

Këto reagime vijnë pasi në një fjalim në Moskë, udhëheqësi rus pretendoi se qytetarët në rajonet lindore të Ukrainës Donetsk dhe Luhansk, si dhe në Kherson dhe Zaporizhzhia në jug, kishin votuar për të qenë “me popullin e tyre, me atdheun e tyre”.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se masa ruse ishte “përshkallëzimi më serioz që nga fillimi i luftës”.

Në një fjalim në Moskë, udhëheqësi rus pretendoi se qytetarët në rajonet lindore të Ukrainës Donetsk dhe Luhansk, si dhe në Kherson dhe Zaporizhzhia në jug, kishin votuar për të qenë “me popullin e tyre, me atdheun e tyre”.

Ai i referohej të ashtuquajturave referendume të mbajtura në rajone ditët e fundit, por Ukraina dhe qeveritë perëndimore nuk i njohin.

Pjesa më e madhe e fjalimit të Putinit u përdor për të sulmuar Perëndimin. Siç citon BBC, ai tha se SHBA kishte krijuar një “precedent” duke përdorur armë bërthamore kundër Japonisë në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Putin javën e kaluar tha se vendi i tij kishte “armë të ndryshme shkatërrimi” dhe do të “përdorte të gjitha mjetet në dispozicion”, duke shtuar: “Unë nuk po bëj bllof”.

Kremlini e ka bërë të qartë se çdo sulm në rajonet e pretenduara nga Rusia do të shihej si një sulm në tokën ruse, duke sinjalizuar një përshkallëzim të luftës.