Vendosni fjalën kyçe....

E moshuara e njohur si “pronare e inceneratorëve” ka një thirrje për qeverinë: Ato pak lekë që kisha mi bllokoi banka, m’i ktheni të operoj sytë


E moshuara Haxhire Gurakuqi ishte e para që nisi sagën e rrëfimeve, pasi mësoi se rezultonte me “biznes 30 milionë dollarësh” në Lezhë të lidhur me inceneratorët.

Ishte kjo dëshmi, pas së cilës nisën të dilnin fakte e rrëfime njëri pas tjetrit, që zbulonin skemën e përdorimit të identitetit të pensionistëve në skemën e evazionit fiskal, të kryer nga kompanitë “fantazmë” të inceneratorëve.

Në Ditën Botërore të të Moshuarve, zonja Gurakuqi rikthehet përsëri në media. Në një rrëfim për “News 24” bën thirrje ndaj qeverisë, që t’i japë mbrapsht paratë, pasi ka nevojë urgjente për të operuar sytë.

“Të më jepnin lekët, të operoj sytë, mos të shoh errësirë.”– është shprehur zonja.

Pak para që i kishin dhuruar për operim miq të saj, banka ia ka bllokuar pasi rezulton debitore ndaj saj nga kompania e inceneratorëve. Ajo tregoi se nuk e di kush e implikoi në këtë histori dhe ato pak para që kishte t’ja kthenin mbrapsht.

Në një intervistë pak muaj më parë, zonja Gurakuqi tregoi se si dy djem të rinj, i shkuan në azil dhe i kërkuan të firmoste disa dokumente duke iu prezantuar si punonjës “të Prokurorisë”.

“Po këtu, ka qenë edhe drejtori këtu. Kemi ardhur nga Prokuroria për punën e atyre lekëve që të kanë bllokuar ty. Nuk thanë ata që ishin…”- u shpreh e moshuara e cila shtoi se i dhanë dokumentet dhe i firmosi. Por nuk e kishte idenë kush ishin ata.

“I besova se thanë jemi të prokurorisë.”- shtoi ajo.