Vendosni fjalën kyçe....

Ky dimër do jetë i vështirë, po tjetri edhe më i keq – Zyrtarja e BE-së


Zyrtarët e energjisë të BE-së janë të shqetësuar për efektet që kriza e vazhdueshme energjetike në Evropë do të ketë në kontinent pasi të fillojë moti i ftohtë, u tha të premten gazetarëve komisionerja Kadri Simson.

“Ministrat ishin të shqetësuar, ashtu si unë, se ky nuk do të jetë një dimër i lehtë për ne dhe dimri i ardhshëm do të jetë edhe më i vështirë.” – tha Simson gjatë një konference për shtyp pas një takimi të jashtëzakonshëm të ministrave të energjisë të BE-së.

Takimi kishte për qëllim të trajtonte çmimet në rritje të gazit në Evropë dhe të zhvillonte një paketë masash emergjente që synojnë të ndihmojnë familjet dhe bizneset evropiane në mes të krizës.

Hapat e miratuar përfshijnë vendosjen e një kufiri mbi të ardhurat e kompanive energjetike dhe shpërndarjen e fitimeve të tepërta tek konsumatorët.

Plani përshkruan gjithashtu kursime të detyrueshme të energjisë, duke u kërkuar anëtarëve të BE-së të ulin kërkesën për energji gjatë orëve të pikut me 5% dhe sugjerojnë një reduktim prej 10% në përdorimin e përgjithshëm të energjisë elektrike.

Megjithatë, ministrat nuk arritën të bien dakord për një kufi çmimi për gazin natyror me shumicë, i cili ishte një nga kërkesat kryesore të paraqitura ndaj Komisionit Evropian nga një grup prej 15 vendeve anëtare të BE-së përpara takimit.

Ndërsa Komisioni Evropian nuk e ka përjashtuar plotësisht mundësinë e një kufiri të çmimit të gazit natyror, ai ka paralajmëruar se një veprim i tillë do dobësonte aftësinë e bllokut për të siguruar furnizimet me gaz në tregun global. Çështja thuhet se do diskutohet në një datë të mëvonshme, sipas ministrit lituanez të energjisë Dainius Kreivys.

Ndërsa furnizimet e gazit rus në BE kanë rënë me 48% këtë vit, sipas Gazprom, inflacioni në Eurozonë që atëherë ka shënuar rritje dyshifrore për herë të parë në historinë e fundit.

Ekziston frika se gjendja do përkeqësohet më tej pasi tubacionet ruse Nord Stream pësuan dëmtime në një akt të dyshuar sabotimi në fillim të kësaj jave, gjë që do të kufizojë rëndë dërgesat e mundshme të gazit në bllok në të ardhmen e afërt.