Vendosni fjalën kyçe....

Sindikatat e arsimtarëve në Kosovë shtyjnë grevën, mësimi nis më 3 tetor


Greva në sektorin publik të Kosovës është pezulluar, bënë të ditur përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Pezullimi i grevës mundëson që mësimi të nisë më 3 tetor.

Kreu i Këshillit grevist, Rrahman Jasharaj, tha në një konferencë për media më 1 tetor se greva nuk është mbyllur, por është pezulluar deri në janar të vitit 2023.

Ai porositi Qeverinë që ta shfrytëzojë këtë kohë për dialog me sindikalistët dhe mos ta marrë “si fitore, sepse nuk ka fituar askush”.

“Nga Qeveria kërkojmë që të takohemi në dialog të sinqertë për të realizuar kërkesat legjitime të anëtarësisë. Uroj që Qeveria dhe Parlamenti ta mbajë fjalën për Ligjin e pagave, për ndryshimin e Ligjit të skemave pensionale, e sidomos për kriterin diskriminues për 15 vjet kontributdhënës para vitit 1990. Uroj që të punohet bashkërisht Ligji për sigurime shëndetësore, uroj që tri palët në këshillin ekonomik-social ta nënshkruajnë Marrëveshjen Kolektive, diçka që është bazament për të drejtat e sindikalistëve në Kosovë”, tha Jasharaj.

Ndërkaq, kreu i BSPK-së, Atdhe Hykolli, tha se greva nuk ishte akt individual ose një grupi individësh, por tha se ishte mjet i veprimit sindikal, duke shtuar se greva e tyre ishte e ligjshme.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka mirëpritur vendimin për nisjen e vitit të ri shkollor, por tha se greva ka shkaktuar “dëm të madh”, andaj ajo tha se duhet angazhim për të përmirësuar këto humbje.

“Kalendari i vitit shkollor duhet të ndryshohet, andaj menjëherë të hënën, më 3 tetor, do të formojmë grupin punues për të rishikuar këtë Udhëzim Administrativ. Do të vazhdojmë punën me intensitet të shtuar në përmirësimin e legjislacionit për licencimin e mësimdhënësve, vlerësimin e performancës dhe realizimin e shtesës së performancës”, shkroi ajo në Facebook, duke u bërë thirrje institucioneve komunale që të ndërmarrin masa që mësimi të nisë të hënën.