Zonja e Parë Armanda Begaj ka publikuar sot një mesazh sensibilizues drejtuar të gjitha grave shqiptare, familjeve të tyre dhe shoqërisë në tërësi.
Kjo me nisjen e muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
“Gratë nuk lindin të forta, ato bëhen nga stuhitë nëpër të cilat kalojnë. Fushata ndërkombëtare ‘Tetori Rozë’ është një nismë ndërgjegjësuese dhe solidariteti për të gjitha gratë, veçanërisht për ato që përballen me sfidën e madhe të luftës ndaj kancerit të gjirit. Unë i bashkohem me zemër kësaj nisme për ta jetuar Tetorin si muajin e solidaritetit dhe ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, sepse gjithnjë e më shumë ka vend për optimizëm, sepse gjithnjë e më shumë gra po e mundin kancerin e gjirit përmes depistimit, kontrollit periodik dhe zbulimit të hershëm të këtij armiku të jetës.
Ndaj në këtë muaj dhe jo vetëm, le të ftojmë njëra-tjetrën, të afërmit dhe miqtë tanë që t’u gjendemi pranë nënave, bashkëshorteve, motrave, bijave e mikeve, të flasim për rëndësinë e madhe të informimit, edukimit dhe parandalimit. Le t’u gjendemi pranë me mbështetje, inkurajim, optimizëm dhe energji pozitive. Sepse një grua e shëndetshme do të thotë një familje e lumtur dhe një familje e lumtur do të thotë një shoqëri e shëndetshme! Së bashku për jetën!”- thuhet në mesazhin e plotë Zonjës së Parë.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se kreu i shtetit Barjam Begaj dhe Zonja e Parë i mbështesin të dy përpjekjet për rritjen e ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, në kuadër të gjithëpërfshirjes së aktorëve institucionalë dhe shoqërisë për këtë çështje me rëndësi jetësore.