Bosnjë e Hercegovina po mban zgjedhjet e përgjithshme më 2 tetor, por pak ndryshim pritet për udhëheqjen e shtetit të mbërthyer nga klientelizmi, korrupsioni dhe varfëria.
Në total, 3.368.666 votues kanë të drejtë vote dhe ata do të zgjedhin 518 anëtarë të rinj të trupave qeveritarë.
Vendvotimet u hapën në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura për 12 orë. Për këto zgjedhje janë akredituar mbi 60.000 vëzhgues.
Votuesit në Bosnjë e Hercegovinë mund të zgjedhin nga mbi 100 parti dhe koalicione, në zgjedhjet e teta të përgjithshme të vendit.
Por, peizazhi paszgjedhor në këtë shtet të Ballkanit me gjasë do të dominohet nga personalitetet e njëjta që kanë lulëzuar në krizat ekzistenciale përgjatë viteve dhe madje kanë përforcuar qëndrimet e tyre etnike gjatë fushatë zgjedhore, shkruan REL.
Qytetarët me të drejtë vote do të zgjedhin tri anëtarët e Presidencës boshnjake dhe 42 deputetë të Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë parlamentare, për një mandat katërvjeçar.
Në nivel të entitetit, 98 deputetë do të zgjidhen për Parlamentin e Federatës boshnjake dhe kroate si dhe 83 për Parlamentin Kombëtar të Republikës Sërpska.
Po ashtu, në Republikën Sërpska zgjedhjet mbahen edhe për presidentin dhe zëvendëspresidentin e entitetit.
Në Federatën boshnjake dhe kroate, në total 289 deputetë do të zgjidhen në dhjetë parlamentet e kantoneve.
Në zgjedhje po marrin pjesë 127 subjekte politike, prej të cilave 72 janë parti, 38 koalicione dhe 17 kandidatë të pavarur. Në nivel të përgjithshëm, numri i personave që po garojnë në zgjedhje është 7.258.
Në mbarë vendin janë 5.903 qendra votimi dhe 21 qendra votimi janë hapur në ambasadat dhe misionet konsullore që Bosnjë e Hercegovina ka në vende të ndryshme.
Megjithatë, garë e ngushtë pritet të jetë për Presidencën trepalëshe, përfshirë edhe për ulësen boshnjake në këtë institucion.
Po ashtu, garë e ngushtë pritet të jetë për disa ulëse në dhomën e sipërme të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës – mandate që zgjidhen në mënyrë indirekte pas zgjedhje – dhe këto gara pritet të ndikojnë në përpjekjet penguese që kanë paralizuar shtetin për vite me radhë. Dhe rezultatet e këtyre zgjedhjeve mund të ofrojnë qartësi në përgjigjen nëse Bosnja është e destinuar, të paktën për të ardhmen e afërt, të mbetet një nga pikat më të nxehta në Evropë.
Vëmendje po ashtu i kushtohet garës në Republikën Sërpska dhe liderit të saj, Milloard Dodik, i cili po shtyn përpara përpjekjet për shkëputjen e këtij rajoni të dominuar nga serbët.