Vendosni fjalën kyçe....

Musk zbulon robotin humanoid


Themeluesi i Tesla dhe SpaceX, Elon Musk, zbuloi të premten një robot prototip të quajtur Optimus, i cili pritet të kushtojë më pak se një makinë Tesla dhe do prodhohet në masë.

Prezantimi i pajisjes së re u bë në Tesla AI Day 2022, ku vetë roboti doli në skenë dhe përshëndeti publikun.

Musk vuri në dukje se prototipi ‘mund të bëjë më shumë sesa ju treguam. Ne thjesht nuk donim që ai të rrëzohej’.

Për ta vërtetuar këtë, Musk tregoi një video të të njëjtit robot, i cili u pa duke mbajtur një kuti në zyrë, duke ujitur bimë dhe duke hequr një shufër metalike nga një mekanizëm në një fabrikë.

Themeluesi i SpaceX tha se roboti është një prototip i brezit të parë të quajtur Bumble C, i cili përfundimisht do zhvillohet në Optimus.

Ai vazhdoi të tregonte llojin përfundimtar të tij. Ndryshe nga Bumble C, ai nuk kishte tela të ekspozuar dhe kishte një model shumë më elegant. Ai gjithashtu bëri me dorë, por mesa duket nuk mund të ecte.

“Ka ende shumë punë për të bërë për të përmirësuar Optimus.” – tha Musk, duke shtuar se “Optimus do jetë i jashtëzakonshëm në pesë ose 10 vjet.” – dhe se Tesla do të ishte gati të merrte porosi për robotin nga tre deri në pesë vjet.