Agjencia për mbikëqyrje bërthamore e Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për lirimin e drejtorit të centralit më të madh bërthamor të Ukrainës, i cili raportohet se është rrëmbyer nga patrulla e ushtrisë ruse.
Thirrja e drejtorit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, më 1 tetor, erdhi një ditë pasi Ihor Murashov, u ndalua teksa po udhëtonte nga centrali i Zaporizhjës për në qytetin Enerhodar.
Murashov “u nxor nga vetura, iu mbyllën sytë dhe më pas u dërgua në drejtim të panjohur”, tha Enehoatom, kompania shtetërore ukrainase që mbikëqyr centralin e Zaporizhjës.
Grossi tha se shpreson që “Murashov do të kthehet te familja e tij në mënyrë të sigurt dhe të shpejtë në mënyrë që ai të vazhdojë punën e tij të rëndësishme në central”, tha Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore përmes një postimi në Twitter.
Ndalimi i Murashovit “ka një ndikim të madh” në sigurinë e tij dhe sigurinë bërthamore tha agjencia.
Është e paqartë pse Murashov është ndaluar. Autoritetet ruse nuk kanë dhënë asnjë deklaratë lidhur me këtë çështje.
Centrali i Zaporizhjës dhe zona përreth kontrollohen nga forcat ruse që nga marsi, ndërkaq stafi ukrainas vazhdon të operojë me këtë uzinë.
Reaktori i fundit i centralit të Zaporizhjës u fik në shtator për shkak të granatimeve pranë uzinës bërthamore.