Vendosni fjalën kyçe....

Tubacionet Nord Stream mund të riparohen – Zyrtari rus


Rusia mund të jetë në gjendje të riparojë tubacionet Nord Stream 1 dhe 2, të cilët u dëmtuan në fillim të kësaj jave, tha të dielën zëvendëskryeministri Aleksandr Novak.

“Ka mundësi teknike për të rivendosur infrastrukturën, kërkon kohë dhe fondet e duhura. Jam i sigurt se do gjenden mundësitë e duhura.” – tha Novak për TV Rusi 1.

Sipas zyrtarit, hapi i parë duhet të jetë përcaktimi se kush qëndron pas incidentit.

“Fillimisht është e nevojshme të kuptojmë se kush e ka bërë. Janë disa vende të cilat kishin shprehur qëndrimet e tyre më parë, ishin të interesuara për të. Si SHBA-ja, ashtu edhe Ukraina si dhe Polonia në një kohë thanë se kjo infrastrukturë nuk do të funksionojë, se ata do të bëjnë gjithçka për t’u siguruar që kjo të ndodhë. Natyrisht, është e nevojshme që kjo të shqyrtohet seriozisht.” – Novak.

Duke cituar shërbimet gjermane të sigurisë, gazeta Der Tagesspiegel raportoi më herët se tubacionet e dëmtuara mund të jenë përgjithmonë jashtë përdorimit nëse nuk riparohen shpejt, pasi uji i kripur mund të shkaktojë korrozion.

Autoritetet daneze raportuan rrjedhje në të dy tubacionet Nord Stream 1 dhe 2 të hënën pasi një operator lokal tubacioni vuri në dukje një humbje të presionit pas një serie shpërthimesh nënujore në zonë.

Agjencia Daneze e Energjisë raportoi më herët të dielën se presioni në Nord Stream 1 është i qëndrueshëm dhe rrjedhja e gazit ka mbaruar, ndërsa të shtunën, tha se Nord Stream 2 gjithashtu ndaloi rrjedhjen e gazit.

Incidenti konsiderohet gjerësisht si rezultat i sabotazhit.