Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një deklaratë për mediet është shprehur se sistemi TIMS u sulmua nga hakerat “qeveritarë” për të zhdukur lidhjet e qeverisë dhe të deputetëve me krimin.
“Unë informoj gjithashtu se nga data 15 korrik deri më sot, nuk është marrë asnjë masë e vetme për mbrojtjen e sistemeve. Të gjitha të tjerat, janë mashtrime. Sistemet janë në mëshirë të atyre që po i sulmojnë dhe po i shkatërrojnë.
Sistemi TIMS sipas burimeve serioze është sulmuar nga hakera qeveritarë me qëllimin për të zhdukur të gjitha gjurmët e lidhjeve të qeveritarëve deputeteve me grupe trafikantësh dhe kriminale dhe udhëtimet e tyre të përbashkëta që janë prove e bashkëpunimit me politikën.
Kurse, nxjerrja e të dhënave të kartotekës, përbën shkallën më ekstreme të dekonspirimit dhe dorëzimit të këtij shteti mafioz, tërësisht në duart e krimit.”- tha Berisha.
Më tej Berisha u shpreh se të dhënat e qytetarëve shqiptarë u rrezikuan nga qeveria Rama edhe me patronazhistët, por para drejtësisë nuk është vendosur asnjë njeri.