Vendosni fjalën kyçe....

Berisha thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës: Regjistrohuni masivisht


Kryetari i Partisë Demokratike në një prononcim për mediet u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshëvës që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë që po bëhet në Serbi.

“Një thirrje vëllazërore për të gjithë shqiptarë e Luginës së Preshevës, Bujanovcit, Medvegjës, dhe të gjithë shqiptarëve në Serbi, të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë që po bën kjo republikë, një regjistrim problematik dhe ka bërë gjithçka Vuçiç me politikat që ka ndjekur të zvogëlojë artificialisht popullatën shqiptare në trevat e veta mijëvjeçare në Luginën e Preshevës.

Format e përdorura nga serbo-madhi Vuçiç për të ç’regjistruar banorët e këtyre komunave nga trojet e tyre shekullore janë unikë në botë. Njëra prej të cilave, mjafton që portieri të trokasë në derë dhe të mos e hapë kush, ajo familje ç’regjistrohej. Edhe dhjetëra forma të tjera. Kjo idiosinkrasi që ultranacionalistët serbë dëshmojnë ndaj shqiptarëve, ky racizëm primitiv duhet të marrë vetëm një përgjigje; regjistrimin masiv të të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, në Serbi apo në Europë e SHBA, pranë vatrave të tyre familjare si banorë të fshatrave të Luginës së Preshevës. Aty ata kanë  qenë në shekuj dhe aty do të jenë, duke rezistuar natyrisht programeve të egra shpopulluese të serbomadhisë.

Edhe njëherë thirrja ime është të regjistrohet çdo shqiptar, me origjinë, ose i lindur në komunat e Luginës së Preshevës, kudo që ndodhen.”– tha Berisha.