Vendosni fjalën kyçe....

Dendias: Të hapur për bisedime me Turqinë sapo të ndalë provokimet


Greqia dëshiron të ketë bisedime dobiprurëse me Turqinë bazuar në të drejtën ndërkombëtare, por fqinji i saj në Egje duhet të ndalojë përshkallëzimin e saj të paprecedentë të provokimeve, tha të dielën ministri i Jashtëm grek.

Të dy vendet – aleatë në NATO, por armiq historikë – kanë qenë në mosmarrëveshje prej dhjetëvjeçarësh për një sërë çështjesh, duke përfshirë këtu fillimin dhe mbarimin e brezeve kontinentale, fluturimet në detin Egje dhe Qipron e ndarë.

“I takon Turqisë të zgjedhë nëse do të vijë në bisedime të tilla apo jo, por përbërësi bazë duhet të jetë ulja e tensioneve.” – tha Nikos Dendias për gazetën Proto Thema në një intervistë.

Muajin e kaluar, Bashkimi Evropian shprehu shqetësim lidhur me deklaratat e presidentit turk Tayip Erdogan që akuzonte Greqinë, një anëtare e BE-së, për pushtimin e ishujve të çmilitarizuar në Egje dhe duke thënë se Turqia ishte e gatshme të ‘bëjë atë që është e nevojshme’ kur të vijë koha.

“Ai që është përgjegjës për një ulje të tensioneve është ai që shkakton tensionin e në këtë rast Turqia.” – tha Dendias.

Ai fajësoi Ankaranë për provokime të shtuara me një retorikë pretendimesh të rreme dhe ligjërisht të pabaza, ‘madje edhe fyerje personale’.

Turqia ka rritur ndjeshëm fluturimet e saj dhe shkeljet e hapësirës ajrore greke, i tha Dendias gazetës, duke shtuar se sjellja e saj duket se po i shërben një ‘narrative revizioniste’ që ajo nxit vazhdimisht.