Vendosni fjalën kyçe....

Dhuna e policisë në protesta/ Petrit Vasili: Prokuroria e Tiranës vendim skandaloz, pushoi hetimin dhe injoroi provat


Deputeti i Partisë së Lirisë Petrit Vasili ka dalë në një deklaratë për mediet, ku ka akuzuar Prokurorinë e Tiranës se ka pushuar pa të drejtë hetimin për dhunën e policisë në protesta.

“Sot Prokuroria e Tiranës ka marrë vendimin e turpshëm dhe skandaloz të pushimit të hetimeve lidhur me denoncimin e bërë nga ana jonë për dhunën e ushtruar nga civilët e paidentifikuar dhe nga policia mbi qytetarët.”– u shpreh Vasili.

Ai prezantoi para kamerave një video si dëshmi të dhunës në protesta, ku punonjës policie pa uniformë dhe pa mjet identifikimi shihen duhe shoqëruar me dhunë një djalë të ri që protestonte kundër rritjes së çmimeve.

Vasili bën thirrje që Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm të marrin nën hetim këtë dosje.

Deklarata e plotë e Vasilit

Sot Prokuroria e Tiranës ka marrë vendimin e turpshëm dhe skandaloz të pushimit të hetimeve lidhur me denoncimin e bërë nga ana jonë për dhunën e ushtruar nga civilët e paidentifikuar dhe nga policia mbi qytetarët.

Është e qartë për të gjithë që shteti policor është vendosur mbi prokurorinë ndërkohë që duhet të ishte e kundërta, që prokuroria të kërkonte zbatimin deri në fund të ligjit dhe të mbronte qytetarët.

Të nderuar qytetarë po ju paraqis një prej videove të cilat u dorëzuan në prokurori e që tregon qartë dhunën kafshërore të individëve të paidentifikuar në shërbim të qëndrimit kriminal të policisë, gjithashtu ju duhet të shikoni sesi vetë policia përpiqet në mënyrë mafioze të fshehë dhunën kur thotë ‘Kujdes se ka gazetarë dhe media’.

Këtë dhunë të tmerrshme të evidentuar qartë edhe nga mediat shqiptare, prokuroria e Tiranës jo vetëm nuk e heton por e rëndon aq shumë situatën e saj saqe guxon dhe ta mbyllë.

Prokuroria arrin deri aty, saqë këto veprime t’i quajë normale gjithashtu mbyll sytë edhe para individëve të paidentifikuar që ushtrojnë dhunë ndaj qytetarëve duke pasur armë zjarr në brez.

Sjellja e prokurorisë është flagrante është në shkelje shumë të rëndë të ligjit, po aq sa policia që ka ushtruar dhunën.

Ndaj, i kërkoj sot publikisht Prokurorit të Përgjithshëm, Kryeprokurorit Tiranës, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, të marrin në shqyrtim këtë dosje, të vihen në shërbim të ligjit dhe qyetarëve për të hequr këtë damkë turpi që u vendos mbi prokurorinë duke mbrojtur dhunën kriminale të evidentuar qartë e të konsumur publikisht.