Vendosni fjalën kyçe....

“El Chapo” po tregon kush janë personat e fuqishëm të tregtisë së drogës


Pesë vjet pasi u ekstradua në SHBA, bosi meksikan i drogës Joaquín “El Chapo” Guzmán po tregon me gisht ato që ai thotë se janë fuqitë e vërteta pas tregtisë së drogës në të dy anët e kufirit.

Nëpërmjet avokatit të tij, Mariel Colón, një nga të paktët njerëz që lejohet të ketë kontakte të rregullta me të, Guzmán tha se lufta e drogës duhet të ndalojë, autoritetet do të duhet të ndjekin “politikanët në të dy anët e kufirit”.

Për vite me radhë, autoritetet i kanë larguar këta liderë të supozuar, por kjo nuk po i shërben asnjë qëllimi, por nëse shkoni pas politikanëve që po e lejojnë këtë të ndodhë, është një gjë tjetër. Kjo është ajo që ai është shprehur më parë. Kështu mendon”, tha Colón për Insider.

Guzmán është i vetëdijshëm se ai mund të jetë thjesht një instrument politik për qeveritë e SHBA-ve dhe Meksikës, tha Colón.

“Çdo president i ri amerikan ka trofeun e tij. Trump pati “El Chapo”. Pas tij, Biden do ketë trofeun e tij,” shtoi Colón. “Ka qenë gjithmonë vetëm politikë”.

Në vitin 2019, Guzmán, i cili tani besohet të jetë 65 vjeç, u dënua me burgim të përjetshëm për akuza të shumta të lidhura me drogën. Që atëherë, ai është mbajtur në izolim në “ADX Florence”, një strukturë e sigurisë së lartë në Kolorado që konsiderohet si burgu më i sigurt i SHBA-së.

Guzmán del jashtë qelisë vetëm një orë në ditë dhe i lejohen vetëm 15 minuta telefonata në muaj me tre persona të verifikuar më parë nga qeveria amerikane: nënën e tij, një nga motrat e tij dhe fëmijën e tij më të vogël.

“Guzmán ka qenë në izolim të plotë. Ai nuk ka qasje në asnjë zonë përreth burgut përveç qelisë së tij,” tha Colón.

Në vitin 2020, ekipi i tij ligjor u ankua se ai përballej me “kushte çnjerëzore”, padi e cila u hodh poshtë nga një gjykatës federal. Trajtimi i Guzman, për të cilin avokatët e tij thonë se është “torturë” dhe rezultat i një “hakmarrjeje politike”, nuk ka ndryshuar.

Autoritetet amerikane shpjeguan se masat e sigurisë kanë për qëllim të parandalojnë Guzman që të arratiset ose të përfshihet në aktivitete të paligjshme, por edhe me Guzmanin pas hekurave që nga kapja e tij në janar 2016, biznesi ka lulëzuar për Kartelin Sinaloa.

Dëshmitë gjatë gjyqit të Guzmanit përmendte disa presidentë meksikanë, shefa policie dhe oficerë të lartë ushtarakë si të përfshirë në tregtinë e drogës.

Jesus “El Rey” Zambada, vëllai më i vogël i Ismael “El Mayo” Zambada,, bosit të drogës të kartelit të Sinaloas, pretendoi në dëshminë e tij se “udhëheqësit e vërtetë” të kartelit ishin zyrtarët e qeverisë meksikane dhe ligj zbatuesit amerikan.

Zambada specifikoi Genaro García Luna, i cili ishte sekretar i sigurisë publike të Meksikës nga viti 2006 deri në 2012. García Luna u arrestua në SHBA në dhjetor 2019 dhe u akuzua për marrje ryshfeti nga karteli Sinaloa.

García Luna u deklarua i pafajshëm. Gjyqi i tij duhej të fillonte në tetor të këtij viti, por me kërkesë të avokatëve të tij u shty deri në janar 2023.

Sipas Departamentit të Drejtësisë të SHBA García Luna akuzohet se ka pranuar miliona dollarë për të lejuar Guzmanin për më shumë se një dekadë të “operonte i paprekur në Meksikë”. Në të njëjtën kohë, Garcia Luna dyshohet se po bënte marrëveshje me zyrtarë të rangut të lartë brenda agjencive më të larta të sigurisë kombëtare dhe zbatimit të ligjit në SHBA.

Në tetor 2020, Salvador Cienfuegos, ministri i mbrojtjes i Meksikës nga viti 2012 në 2018, u arrestua teksa mbërriti në Los Anxhelos me një fluturim nga Mexico City.

Cienfuegos u përball gjithashtu me akuza të lidhura me drogën, gjoja si pjesë e hetimit të kartelit të Sinaloas dhe lidhjeve të mundshme me Guzman. Ai u akuzua për përdorimin e autoritetit të tij për të mbrojtur një fraksion të kartelit Sinaloa ndërsa urdhëronte operacione kundër rivalëve të tij.

Cienfuegos u deklarua i pafajshëm në seancën e tij të parë dhe në një veprim të befasishëm, prokurorët amerikanë hoqën akuzat kundër tij pas negociatave me qeverinë meksikane. Ish gjenerali u kthye në Meksikë dhe u lirua.

García Luna dhe Cienfuegos nuk janë dënuar, por një zyrtar që lufton kartelet në qytetin kufitar meksikan të Ciudad Juárez ka thënë se akuzat e Guzman nuk janë larg realitetit.

Në një intervistë të tetorit 2016 për gazetën meksikane El Universal, bosi i nivelit të mesëm në La Línea, krahu i armatosur i Kartelit Juárez, tha se disa agjentë kufitarë të SHBA ishin në list-pagesën e tyre.

“Agjentët janë blerë”, tha ai në atë kohë.

Që nga viti 2016, Qendra për Raportimin Hulumtues (QRH) dokumentoi 153 raste të hetimeve të korrupsionit që synonin oficerët e kufirit amerikan, shumica e tyre anëtarë të Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit në SHBA.

Trafikimi i drogës ishte vepra më e zakonshme, e ndjekur nga ryshfeti dhe trafiku i qenieve njerëzore, dhe shumica dërrmuese e rasteve të cituara nga QRH përfshinin agjentë me 10 ose më pak vite shërbim. Shumica e incidenteve ishin në Teksas, ndjekur nga Kalifornia dhe Arizona.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Business Insider

Përshtati në shqip Hashtag.al