Kryeministri i Federatës të Bosnjë e Hercegovinës, Fadil Novalliç, dhe Sllobodan Stanoviç, biznesmen i lidhur me liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, janë personat e fundit që Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar.
Më 3 tetor, Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja të Departamentit amerikan të Thesarit, tha se këta dy persona janë sanksionuar për shkak të minimit të institucioneve demokratike “për përfitime personale dhe për të shpërblyer rrjetet e tyre të patronazhit”.
“Ne do të vazhdojmë të shënjestrojnë personat që destabilizojnë rajonin, por edhe mbështetësit e tyre, duke i mbajtur përgjegjës”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Brian E.Nelson.
Sipas njoftimit të Departamentit amerikan të Thesarit, kryeministri Fadil Novalliç, ka keqpërdorur të dhënat e pensionistëve për përfitimin e subjektit së tij, Partisë për Veprim Demokratik, duke shkelur ligjet e Bosnjë e Hercegovinës.
“Një javë para mbajtjes së zgjedhjeve më 2018, Novalliç përdori të dhënat e pensionistëve, që i kishte marrë përmes pozitës së tij zyrtare, dhe u dërgoi letra me një listë të arritjeve të tij duke premtuar rritje të pensioneve. Ky veprim shkel ligjet e Bosnjë e Hercegovinës dhe reflekton mbi veprimet e tij të përsëritura për të përdorur pozitën politike për përfitime personale apo të partisë së tij, duke minuar proceset demokratike apo institucionet e Bosnjë e Hercegovinës”, tha SHBA-ja.
biznesmeni Sllobodan Stankoviç, një prej njerëzve më të pasur në Bosnjë dhe pronar i një firme inxhinierike, Integral, në Republikën Sërspka, sipas SHBA-së është i lidhur me korrupsion në sektorin e ndërtimit, pasi kompania e tij, ka fituar disa prej projekteve më të mëdha në Republikën Sërpska.
“Shumica e projekteve të mëdha ndërtimore shpesh i jepen Stankoviçit pa garë të hapur dhe të drejtë. Shumica e pasurisë së tij vjen nga paratë publike”, tha SHBA-ja.
Stankoviç po ashtu është ish-pronar i televizionit Alternativa, që është subjekt i sanksioneve të SHBA-së. Kjo media është nën kontrollin personal të anëtarit të presidencës trepalëshe të Bosnjës, Millorad Dodik.