Kryeministri, Edi Rama në një intervistë për emisionin “Now” në Euronews Albania ka refuzuar të japë një përgjigje në lidhje me deklaratën e bërë pak ditë më parë nga ana e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila u shpreh se udhëheqësit duhet të zgjedhin se kush e ka në dorë këtë vend, qytetarët apo kriminelët dhe se paratë e pista bëhen pallate e resorte turistike.
Rama tha se nuk mund të hidhet baltë për 99% të shqiptarëve, për faktin se 1% është e lidhur me botën e krimit.
“E para, unë e refuzoj kategorikisht këtë gjuhë që udhëheqësit duhet të zgjedhin kush duhet ta qeverisë këtë vend, qytetarët apo kriminelët. Për sa më takon, si udhëheqës i këtij vendi, e kam bërë zgjedhjen me kohë. E kam bërë zgjedhjen kur kam dalë kundër regjimit komunist, e kam bërë zgjedhjen kur kam hyrë në politikën shqiptare dhe e bëj zgjedhjen time çdo ditë, nuk kam asnjë dilemë për këtë.
Nga ana tjetër, të akuzosh onblock, nuk ndihmon fare qytetarët, nuk ndihmon fare luftën kundër krimit dhe pastrimit të parave, por përkundrazi, krijon një mjegull të madhe ku të vetmit përfitues janë kriminelët dhe pastruesit e parave. Për 1% të shqiptarëve që janë të lidhur me botën e krimit, nuk mund të hidhet baltë mbi 99% të tyre, as jashtë dhe as brenda”, theksoi ai.