Policia e Durresit ka dhënë hollësi lidhur me rrëmbimin e Indrit Beqirajt në autostradë mbrëmjen e djeshme.
Në njoftim thuhet se vëllezërit Beqiraj janë përfshirë në aksident automobilistik me një mjet e më pas janë përplasur fizikisht me personat brenda makinës.
Pas kësaj këta të fundit e kanë marrë në mjetin e tyre njërin nga vëllezërit Beqiraj, Indritin, duke e lënë në rrugë pas disa kilometrash.
Personat në fjalë janë shoqëruar në polici, ndërsa sipas dëshmisë së vëllezërve në polici, gjithçka ka ndodhur për arsye banale. Dy vëllezërit Beqiraj janë persona me precedent penal për sa i përket trafikut të drogës e armëmbajtjes pa leje.
Njoftimi
“Në autostradën Durrës-Tiranë, në vendin e quajtur “Koxhas”, shtetasit G. B. dhe I. B. (vëllezër), duke udhëtuar me motor, dyshohet se janë përfshirë në një incident rrugor, pasi një automjet ka goditur motorin e tyre, i cili për pasojë ka dalë nga rruga. Për këtë shkak, dy vëllezërit janë konfliktuar fizikisht me personat që ishin në automjet. Në konflikt e sipër, personat që ishin në automjet kanë marrë njërin prej vëllezërve, shtetasin I. B., të cilin e kanë lënë në rrugë, larg nga vendi i konfliktit, dhe më pas janë larguar. Nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë, në bazë të kallëzimit të shtetasit I. B., është regjistruar procedimi penal dhe po punohet për sqarimin e motivit dhe të rrethanave të ngjarjes, si dhe për implikimin e këtyre personave, në ngjarje të tjera.”