Vendosni fjalën kyçe....

SHISH raporton në Komision për sulmin kibernetik, Naço u mbledh telefonat deputetëve por plasin debatet


Sot në Komisionin për Sigurinë Kombëtare po mbahet një seancë dëgjimore me SHISH lidhur me sulmin kibernetik ndaj sistemit TIMS të ndodhur në datë 8 shtator 2022, dhe ndërprerjen e sistemeve kompjuterike qeveritare dhe pezullimin e shërbimeve online në muajin korrik 2022.

Vendimi për ta zhvilluar mbledhjen me dyer të mbyllura shkaktoi debate të forta mes maxhorancës dhe opozitës. Këta të fundit kërkuan që një pjesë e seancës të zhvillohet me dyer të hapura, por kryetari Nasip Naço vendosi që mbledhja jo vetëm të mbahej me dyer të mbyllura, por që të gjithë deputetët të dorëzonin telefonat, në mënyrë që të mos ketë rrjedhje informacioni.

Pjesë nga debati:

Ferdinand Xhaferraj: Nuk mundet institucioni në varësi të qeverisë të dalë mbi Kuvendin.

Nasip Naço: Në lidhje me votimin me dyer të hapura dhe të mbyllura

Drejtuesi i Shërbimit të SHISH: Do t’ju lutesha të merrnit një vendim sepse 100% informacionet e kësaj seance janë të nivelit sekret.

Ervin Salianji: Kam një propozim tjetër. Ne jemi në një situatë agresioni, ku të gjithë dhënat e shqiptarëve dhe të institucioneve shtetërore po përfundojnë në publik. Në këto kushte një pjesë e mbledhjes së këtij komisioni ku do diskutohet me dyer të mbyllura dhe më pas do të vinë prapë kamerat duhet të japim siguri që nuk po atakohet siç është SHISH dhe që jemi në rrugën e duhur. Ky Komision sot, në kushtet ku kanë dalë të dhëna shumë sensitive te policisë së Shtetit që është MEMEX, një pjesë e mbledhjes së këtij Komisioni duhet të jetë i hapur për të dhënë mesazhin e duhur.

Xhemal Qefaliaj: Unë habitem përse duhet të jetë objekt diskutimi nëse duhet apo jo të jesh me certifikatë sigurie. Nuk jemi han me dy porta që të nxjerrim informacion tepër sekret. Ju kërkoj zoti kryetar të operoni menjëherë me vazhdimin me dyer të mbyllura.

Ferdinand Xhaferraj: Ky është skandali, Kuvendi nuk kufizohet nga VKM.

Nasip Naço: Sa të ikin kamerat, do t’ju lë të flisni një orë

Ferdinand Xhaferraj: Kuvendi është me kriminelë

Nasip Naço: Bëhuni gati të dorëzoni celularët

Flamur Noka: Do t’i dorëzojmë të gjitha mo, edhe paratë se paratë i keni rrujt si qeveri, por do t’i dorëzojmë çfarë të kemi. Ju deputetëve i kërkoni të dorëzoni gjithçka, sot shqiptarët kanë dorëzuar në dorë të hackerave çdo të dhënë të tyre private dhe publike sepse ka një qeveri që vetëm vjedh dhe nuk ruan sistemin.

Çështja për të cilën është thirrur kreu i SHISH është një çështje sensitive jo vetëm për ne si ligjvënës, por për çdo qytetar shqiptar. Çështja nuk ka asnjë sekret. Tregoni edukatë sepse ju dëgjova të gjithëve. Çfarë sekreti ka sot, kur çdo e dhënë sot, sekrete apo jo, ndodhet në duar të hackerave iranianë. Sot Irani ka në dorë të dhënat por hackera serbe -rusë kanë në dorë sekrete dhe jo sekrete të shtetit dhe qytetarëve dhe ju i thoni shqiptarëve se nuk keni të drejtë të dëgjoni se shteti ishe lakuriq. Shqiptarët duan të dinë çfarë ka bërë shteti dhe pse nuk ishin të mbrojtur. Mos të të shkojë mendja të më fikësh mikrofonin.

Nasip Naço: Faleminderit, kush nga kolegët deputetë do që kjo seancë jetë me dyer të mbyllura. Faleminderit, 5 minuta pushim, seanca do të vazhdojë me dyer të mbyllura.

Flamur Noka: Edhe këtu mund të funksiononi si bandë, por nuk mund t’i mbyllni gojën askujt, që ta marrim vesh.