Policia e Shtetit ka reaguar pas publikimit të të dhënave nga sistemi MEMEX nga hakerët e “Homeland Justice”.
Sipas Policisë, nga sulmet kibernetike nuk janë prekur apo dëmtuar të dhëna sensitive që administrohen në këtë sistem.
“Nga deklarimet e bëra sot në media dhe referimet e këtyre deklarimeve, sipas të cilave janë marrë të dhëna nga sistemi MEMEX, sqarojmë opinionin publik se ky sistem nuk është prekur dhe se këto të dhëna nuk kanë të bëjnë fare me databazën e sistemit policor MEMEX.
Policia e Shtetit njofton se, deri në këto momente, nuk janë prekur apo dëmtuar të dhëna sensitive që administrohen në këtë sistem, të cilat kanë të bëjnë me punën policore.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, po heton origjinën e rrjedhjes së këtyre të dhënave dhe apelon që, në zbatim të urdhrit të prokurorit, të datës 19.09.2022, të mos publikohen nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit, të dhëna që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik ndaj sistemeve dixhitale të Policisë së Shtetit.”– thuhet në reagimin e Policisë.
Sistemi MEMEX është një nga sistemet kyç brenda policisë së shtetit, i cili njihet edhe si Sistemi i Menaxhimit të Informacionit Kriminal. MEMEX mban të dhëna sekrete të policisë mbi çdo eksponent kriminal dhe shërben për marrjen dhe transmetimin e njoftimeve për ngjarjen kriminale të ndodhur, informacionit policor si dhe të dhënave për personat e implikuar në këto ngjarje apo informacione.
Sot hakerat e “Homeland Justice” kanë publikuar një material prej 1.7 giga byte, me 49 file ku janë të dhënat e rreth 100 mijë personave të skeduar në sistemin policor.