Vendosni fjalën kyçe....

Tedi Blushi: Niko Peleshi të anulojë tenderin e “tallavasë” prej 600 mijë eurosh, shpenzime luksi në kohë krizë


Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka hapur një tender për aktivitete artistike. Lidhur me këtë ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi.

Ai e konsideron këtë një shpenzim luksi në një kohë krizë kur vendi dhe gjithë bota po përballet me inflacion. Blushi  i bën thirrje ministrit Niko Peleshi të anulojë sa më parë tenderin dhe këto para të shpërndahen tek njerëzait në nevojë.

“Shpenzime luksi, në kohë krize! Ministri Peleshi hap tender ‘tallavaje’: 600 mijë euro për shërbime çlodhjeje!

Në kulmin e krizës ekonomike, Ministria e Mbrojtjes shpall tender për aktivitete artistike, krejtësisht të panevojshme në kushtet kur ndodhet vendi ynë.

Kur 67% e popullsisë me të ardhura më pak apo deri në 5.5 dollarë në ditë, po ndjen si kurrë më parë lakun e varfërisë për shkak të rritjes abuzive të çmimeve, dhe kur Qeveria u ndan ‘thërrime’ shtresave më në nevojë të shoqërisë që po lëngojnë nga mjerimi i tejskajshëm, Niko Peleshi vendos të shpërdorojë fondet publike për ahengje.

Kur pensionistët çdo ditë ndjejnë koston e rëndë të shtrenjtimit të ushqimeve, ilaçeve dhe energjisë elektrike, kur mjekët, infermierët dhe arsimtarët kërkojnë rritje rroge, kur studentët kërkojnë më shumë mbështetje ekonomike për të përballuar universitetet, kur jetimët në qendrat sociale janë të paushqyer sepse u vidhet edhe kafshata, Niko Peleshi shpall tender për ‘tallava’.

Anuloni urgjent tenderin dhe ndani këto fonde për familjet më në nevojë!

Qeverisë së tallavasë, babëzisë dhe paligjshmërisë që zhvat papushim shqiptarët dhe fondet e tyre i keqpërdor në këtë farë feje, i duhet treguar vendi sa më parë!”- shkruan Blushi.