Vendosni fjalën kyçe....

Udhëheqësi çeçen zotohet të dërgojë djemtë e tij adoleshentë në front të luftës


Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov thotë se tre djemtë e tij, të moshave 14, 15 dhe 16 vjeç, së shpejti do të udhëtojnë në vijën e frontit të Ukrainës për të luftuar në krah të forcave ruse.

Kadyrov është një aleat i fortë i Vladimir Putinit, por kohët e fundit ka qenë kritik ndaj lidershipit ushtarak të Rusisë.

Siç shkruan BBC, Kadyrov shkroi se një baba duhet t’i mësojë djemtë e tij se si të mbrojnë familjen, njerëzit dhe atdheun e tyre.

Rusia ka nënshkruar një traktat të OKB-së që synon të parandalojë fëmijët nën moshën 18 vjeç që të marrin pjesë drejtpërdrejt në luftime.

Përdorimi i fëmijëve nën moshën 15 vjeç për të marrë pjesë në luftime konsiderohet një krim lufte nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, megjithatë Rusia nuk e njeh juridiksionin e saj.

Në një postim të gjatë në Telegram, Kadyrov tha se trajnimi ushtarak i djemve të tij filloi kur ata ishin shumë më të rinj dhe tani kishte ardhur koha që ata të përjetonin një betejë të vërtetë.

Ai gjithashtu vuri në shënjestër ata njerëz “me fjalë boshe” që pretendonin se të dashurit e liderit çeçen nuk po merrnin pjesë në operacionin ushtarak në Ukrainë.

Postimi u shoqërua me një video të djemve të tij që shihen duke qëlluar me armë të ndryshme në një terren stërvitor.

Kadyrov është një mbështetës i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin dhe forcat çeçene kanë luftuar në Ukrainë që nga fillimi i luftës.

Megjithatë, pas pengesave të fundit ushtarake në rajonet e Kharkiv dhe Donetsk, ai kritikoi udhëheqjen ushtarake të Rusisë, duke e përshkruar një komandant si një “mediokritet” dhe duke ankuar mungesën e logjistikës bazë.

Ai gjithashtu bëri thirrje që Rusia të marrë masa më drastike kundër Ukrainës, duke përfshirë përdorimin e një arme bërthamore taktike. Kremlini u përgjigj se vendime të tilla nuk duhet të merren emocionalisht.