Numri i aplikimeve për kredi në sektorin bankar pësoi rënie në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, i ndikuar sidomos nga një kërkesë më e pakët e individëve.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, gjatë gjashtëmujorit të parë 2022, bankat kanë raportuar se kanë marrë në shqyrtim pak më shumë se 66 mijë aplikime për kredi.
Numri total i aplikimeve për kredi të shqyrtuara nga bankat ka shënuar rënie me 1.6% dhe 1.4%, respektivisht krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me një vit më parë.
Rënia ka ardhur nga segmenti i individëve, (rënie me 4% në terma gjashtëmujorë dhe me 3% në terma vjetorë), ndërkohë që numri i aplikimeve nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe ndërmarrjet e tjera (ku përfshihen kryesisht ndërmarrjet e mëdha), ka rezultuar në rritje gjatë të dyja periudhave të mësipërme.
Nga numri total i aplikimeve, rreth 9% i përkasin sektorit të ndërmarrjeve dhe 91% i përkasin sektorit të individëve. Kjo shpërndarje është zhvendosur në favor të klientëve biznes, si krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm, ashtu në terma vjetorë.
Në totalin e aplikimeve të marra në shqyrtim gjatë periudhës, rezulton se rreth 18.1% e tyre janë refuzuar nga bankat. Kjo normë ka shënuar një rënie të lehtë (me 0.4 pikë përqindjeje) krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, por rezulton rreth 2 pikë përqindjeje më e lartë se një vit më parë. Rritja vjetore e shkallës së refuzimit ka ardhur sidomos nga segmenti i biznesve të mëdha, ku kjo shkallë është rritur nivelin 13.1% nga mesatarisht 4% në dy raportimet e kaluara.
Duke analizuar normën e refuzimit sipas grupeve të bankave, rezulton se norma totale e refuzimit të aplikimeve për kredi nga bankat me kapital vendas është rritur në 6.3% (nga 6.2% e rezultuar një gjashtëmujor më parë), ndërsa për bankat me kapital të huaj kjo normë ka rënë në 24% nga 27% e rezultuar gjashtëmujorin e kaluar.
Pavarësisht kësaj, të dyja grupet bankare kanë shfaqur qëndrime të ngjashme ndaj segmenteve të klientelës. Kështu, ndonëse bankat e huaja mbeten më të prirura për të kredituar segmentin e ndërmarrjeve, veçanërisht ndërmarrjet e mëdha, ndërsa bankat vendase vijojnë të fokusohen tek sektori i individëve dhe biznesi i vogël.
Norma e refuzimit të kreditimit të ndërmarrjeve të mëdha ka qenë në rritje në të dyja grupet, ndërkohë që ka rezultuar në rënie për segmentet e tjera të klientelës.
Në përgjithësi, nga analiza e mësipërme Banka e Shqipërisë arrin në përfundimin se ecuria e aplikimeve të shqyrtuara nga bankat gjatë gjysmës së parë të vitit 2022, tregon për një ulje të kërkesës së individëve për kredi, si në terma gjashtëmujorë, ashtu edhe në terma vjetorë, ndërkohë që kjo kërkesë ka qenë të rritje në rastin e sektorit të ndërmarrjeve, më e theksuar tek ndërmarrjet e mëdha. Nga ana tjetër, në kushtet e një pasigurie të lartë në arenën ndërkombëtare dhe problematikave që ka sjellë në zinxhirët e prodhimit e tregtimit, sektori bankar në vend ka qenë më hezitues në financimin e bizneseve të mëdha që mund të jenë më të ekspozuara ndaj goditjeve të jashtme, duke kërkuar alternativa të tjera financimi në sektorin e individëve dhe të biznesit të vogël.
Të dhënat e aplikimeve për kredi duket se përputhen edhe me tendencën e kreditimit të ekonomisë këtë vit. Kredia për biznesin po shfaq normën më të lartë të rritjes, me mbi 25%, ndërsa kredia për individë po shfaq ritme të rritjes më të ngadalëta, me 16%.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al