Vendosni fjalën kyçe....

Meta pas takimit me Begajn në Presidencë: Të shpallet sa më parë data për zgjedhjet, se kur i takon presidentit


Kryetari i Partisë së Lirisë dhe ish-presidenti Ilir Meta ka përfunduar takimin me pasardhësin e tij në Presidencë, Bajram Begajn.

Meta tha se kanë diskutuar për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale, që sipas tij është mirë të caktohet sa më parë.

“Ishte një kënaqësi që të takohesha me presidentin e Republikës, me kërkesën e tij sot për të diskutuar lidhur me zgjedhjet e ardhshme vendore dhe qëndrimi im ka shumë i qartë, sa më parë të shpallet kjo datë në respekt të gjitha afeteve kushtetuese dhe ligjore. Dhe unë besoj se kështu do të ndodhë sepse një orë e më parë qytetarët e Shqipërisë duhet të shpëtojnë nga kjo zgjedhë moniste dhe gjithçka ka ardhur si rezultat i një degradimi të plotë. Jam I bindur se rikthimi i opozitës do të japë një kontribut të jashtëzakonshëm.

Data konkrete mendoj se i takon vetë presidentit të Republikës dhe nuk besoj se një javë më parë apo më shumë është e rëndësishme. E rëndësishme është që data të dihet sa më parë dhe KQZ të ndërmarrë veprimet e saj për t’u përgatitur për zgjedhjet dhe të gjithë ata që kanë dëshirë të kontribuojnë si kandidatë duhet të dinë datën e kësaj feste të demokracisë. Për mua çdo datë është e pranueshme. E papranueshme është se prej 4 vitesh kemi një pushtet vendor të paligjshëm.

Mjafton të shikoni aferën e Inceneratorëve në Sharrë dhe shumë dëme të mëdha që i janë bërë Tiranës dhe jo vetëm asaj. Por në çdo rast një parti do të marrë pjesë sikur të gjitha të  bojkotojnë. Ajo është PL.

Me Zotin Berisha kemi folur edhe për zgjedhjet edhe për protestat. Për rikthimin e demokracisë.– tha Meta.

I pyetur nëse ndjeu nostalgji nga rikthimi në Presidencë, Meta u shpreh: “U çmalla në radhë të parë me Isa Boletinin sepse është një pikturë e jashtëzakonshme që ia kam marrë Ruçit dhe u gëzova që Isa Boletini është në Presidencë akoma. Më dha kujtime shumë të bukura.”