Vendosni fjalën kyçe....

Pranga tre personave në Tiranë e Gjirokastër, u kapen kanabis e ilaçe kontrabadë


Një 19-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi i janë kapur një sasi prej 140 dozash lëndë narkotike e dyshuar kanabis.

Gjatë kontrollit në rrugën ‘Karl Gega’, të riut me iniciale B.K. i është gjetur sasia e lartpërmendur e lëndës narkotike të cilën dyshohet se e shiste në zona të ndryshme të Tiranës.

Në Gjirokastër janë arrestuar dy persona pasi akuzohen për ilaçe kontrabandë. Në pranga kanë rënë 37-vjeçarja me iniciale I.S. banuese në Gjirokastër pasi gjatë kontrollit në makinë i është gjetur një sasi e dyshuar ilaçesh kontrabandë.

Po kështu në pranga ka rënë edhe një 44-vjeçare me iniciale A.N. banuese në Gjirokastër pasi gjatë kontrollit në farmacinë e saj i është kapur një sasi ilaçesh kontrabandë.

Njoftimi

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Doses 2″, nga Komisariati i Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë.

Sekuestrohen rreth 140 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe një sasi municioni luftarak, vihet në pranga 19-vjeçari që i posedonte.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas shpërndante lëndë narkotike kanabis në zona të ndryshme të Tiranës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin “Doses 2”, për kapjen e tij.

Si rezultat i operacionit, në rrugën “Karl Gega”, u bë kapja e shtetasit B. K., 19 vjeç.

Gjatë kontrollit fizik ndaj 19-vjeçarit dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, rreth 140 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një sasi municioni kuftarak.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasin B. K., 19 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi B. K., pasi siguronte lëndë narkotike kanabis, në sasi të mëdha, e ndante atë në doza, të cilat më pas i shiste në zona të ndryshme të Tiranës.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.”

Njoftimi

“Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Medicines”, për goditjen e kontrabandës së mallrave, ndërsa janë proceduar 2 persona.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se nisi procedimi penal për shtetasen me inicialet I. S., 37 vjeçe, banuese në Gjirokastër, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja apo depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”. Gjatë kontrollit në automjetin e kësaj shtetaseje u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme medikamentesh mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat kjo shtetase i shiste në farmacinë e saj;

Po ashtu po procedohet 44-vjeçarja me inicialet N. A., banuese në Gjirokastër, për veprën penale “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”. Gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin (dyqanin) në pronësi të kësaj shtetaseje u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi medikamentesh mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat kjo shtetase i shiste në këtë dyqan.

Vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.”