Vendosni fjalën kyçe....

Salianji ngre pyetjet për naftën kontrabandë në Porto Romano: A ka dijeni Dogana, kush ia mbyll gojën Policisë dhe Kryeministrit


Deputeti demokrat Ervin Salianji ka denoncuar nga Kryesia e Kuvendit rastin e transportimit të naftës kontrabandë në Porto Romano.

Salianji theksoi se ligji në vend përdoret me dy standarde. Ai u shpreh se i ka dërguar një shkresë për të marrë dijeni për emrin e subjektit që ka bërë porosinë dhe emrin e agjencisë doganore që ka bërë shkarkimin në dy herët e para dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje. Salianji ngre pyetjen nëse Drejtoria e Doganave ka patur dijeni.

“Ditët e fundit në datë 30 shtator raporton si arreston për dhjetëra litra naftë qytetarë. Policia e shtetit tregon e fortë për çdo shishe plastike që kontrabandohet dhe nga ana tjetër nuk ka të të njëjtin vrull kur vjen fjala për anije kontrabandë. Po paraqes një shkresë që i kam dërguar Financës, policisë së shtetit.

Pyetjet kanë qenë këto a ka dijeni drejtoria e doganave se cila ishte kompania që do kryente procedurat për shkarkimin e naftës në Porto Romano. Cila agjenci doganore ka kryer procedurat në këto raste. Cila ka qenë kompania pritëse në secilin prej rasteve!

Jemi në kushtet kur bordi vendos çmimet më të larta të naftës në Europë dhe kontrabanda është në nivelet më të larta. Është një rast kur policia e shtetit tregohet jo serioze. Kush ja mbyll gojën policisë së shtetit dhe kryeministrit?”- u shpreh  Salianji.

Deputeti shtoi se shkresën e ka dërguar që prej datës 13 shtator, por ende s’ka marrë përgjigje: “Do ta vazhdojmë denoncimin për të ndaluar një prej gangrenave të këtij vendi. Kush ka lidhje me qeverinë bëhet milioner dhe konkurron bizneset e ndershme. Dhe po ashtu për të vazhduar me dy standardet që policia vendos për zbatimin e ligjit. Prej datës 13 nuk kam ende një përgjigje. E pyes qeverinë sa është numri i subjekteve që kanë kryer ndërtime të paligjshme dhe emrat e subjekteve.”