Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja po gabon rëndë me nënvlerësimin e inteligjencës kineze – Ekspert i Kinës


Shtetet e Bashkuara i kanë kushtuar pak vëmendje kërcënimit në rritje të inteligjencës kineze, sipas ekonomistit, ekspertit të Kinës dhe autorit Clyde Prestowitz.

“Një nga gjërat që më shqetëson në marrëdhëniet SHBA-Kinë është injoranca e palës amerikane për kufijtë të cilët kinezët shkelin për të marrë inteligjencë.” – tha Prestowitz në programin ‘American Thought Leaders’ të EpochTV më 20 shtator.

Ai më tej vuri në dukje raportin e fundit mbi blerjen e tokës bujqësore nga një ent kinez pranë një baze të Forcave Ajrore të SHBA-së në Dakotën e Veriut.

“Kinezët kanë blerë tokë pranë bazave amerikane. Ajo tokë nuk po blihet për të mbjellë grurë. Ata po vëzhgojnë bazat.” – vuri në dukje ai.

Prestoëitz shërbeu si këshilltar i Sekretarit të Tregtisë gjatë administratës së Ronald Reganit dhe tani drejton Institutin e Strategjisë Ekonomike.

Kompanitë amerikane të nënshtruara ndaj Pekinit

Në librin e tij, të titulluar ‘Bota është kthyer përmbys: Amerika, Kina dhe lufta për lidership global’, Prestowitz vuri në dukje një sfidë tjetër që paraqet Kina. Nënshtrimin e kompanive amerikane. Ai veçoi si shembull Apple Corporation.

Në fund të viteve 1990, Apple zhvendosi objektet e saj të prodhimit nga Kalifornia në Kinë për të përfituar nga puna e lirë, tha Prestowitz. Kjo nuk ishte për t’u habitur, duke pasur parasysh se regjimi kinez ‘po ofronte tokë falas, pa taksa për 25 vjet, shërbime komunale me gjysmën e kostos’.

Rezultati, tha ai, është se ‘Kina mund ta detyrojë Apple të bëjë çfarëdo që i pëlqen. Dhe kështu Apple, në një farë mënyre, është kapur politikisht nga Kina’.

Kjo kufizon pushtetin e qeverisë amerikane mbi Apple.

“Kur Apple dëshmon para Kongresit ose lobon te entitetet e qeverisë amerikane, ajo paraqitet si një kompani amerikane, por zyrtarët duhet të kenë parasysh se ajo është, në një farë mënyre, më e nënshtruar ndaj Pekinit sesa ndaj Uashingtonit.”

Ai më tej vuri në dukje se jo vetëm Apple, por edhe kompani të tjera, duke përfshirë General Electric, General Motors, Boeing dhe kompani të tjera të mëdha prodhuese, janë shumë të varura nga Kina dhe ‘të gjitha ato janë subjekt i presionit nga Partia Komuniste Kineze’.

Për të kundërshtuar kërcënimin nga Kina, Prestowitz sugjeroi një politikë industriale që përpiqet të nxisë prodhimin në Shtetet e Bashkuara, duke frenuar varësinë nga Kina.