Vendosni fjalën kyçe....

Borxhi ndaj OSHEE arrin 687 milionë euro, familjarët e ulin, shteti e biznesi në rritje


Borxhet e prapambetura ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike arritën në fund të 8-mujorit të këtij viti 687 milionë euro.

Në raport me fundin e vitit 2021 ky total u rrit me 1.8 për qind dhe kontributi për këtë efekt negative i atribuohet institucioneve të administratës dhe biznesit.

Familjarët nga ana tjetër kanë vijuar të ulin borxhin e tyre të energjisë pavarësisht se janë mbajtësit e 56 për qind të totalit të tij. Shifrat periodike të publikuara nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë se biznesi kishte një borxh mbi 12 miliardë lekë në fund të gushtit me një rritje prej 5.5 për qind në raport me fundin e vitit 2021.

Institucionet jo buxhetore janë ato që kanë pasur rritjen më të lartë me një total prej 15 për qind në fund në gushtit në raport me fundin e dhjetorit të vitit të shkuar. Institucionet buxhetore kanë rritur detyrimet ndaj OSHEE me 3 për qind kurse familjarët ulën këtë borxh me 4 për qind.

Në totalin e borxhit ku 56 për qind e mbajnë familjarët, pesha e grupeve të tjera është e tillë: Privatët apo biznesi mban mbi 15 për qind të tij, Jo buxhetorët 22.6 për qind dhe buxhetorët në 6.2 për qind.

Borxhlinjtë më problematikë të OSHEE-së përfshijnë ndërmarrjet publike ku një peshë kyçe zënë ato të ujësjellës-kanalizimeve për të cilat nisi një plan shlyerjeje të miratuar nga dy ministri ajo e Financave dhe Ekonomisë dhe ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në një intervistë të posaçme për “Monitor” në numrin e 200 kompanive më të mëdha shqiptare sipas me xhiros vjetore në vitin 2021 administratori i OSHEE Group Adrian Çela pohoi se në disa bashki ka përmirësim të gjendjes, tregohet korrektësi në pagesat e detyrimeve, megjithatë, panorama e përgjithshme paraqet një situatë, ku niveli i borxhit ndaj OSHEE ka arritur në rreth 24 miliardë lekë (nga të cilat, 11 miliardë lekë janë kamatëvonesa).

“Detyrimet ndaj nesh, pra FSHU-së, rriten çdo vit me 1.4 miliardë lekë, kurse për vitin 2022, pritet të jetë më e lartë, për shkak të kalimit të disa shoqërive në status FMF, me tarifë më të lartë, vendosur nga ERE (18.8 lekë/kWh, nga 12 që ishte më parë).

Megjithatë, kemi shoqëri që nuk kanë detyrime, ose janë në marrëveshje për pagesat me këste, duke shlyer edhe detyrimet e prapambetura si UK Tiranë, UK Berat, UK Lezhë, UK Korçë dhe UK Pogradec. Sikurse kemi shoqëri që mundohen të mos krijojnë detyrime të reja, pra paguajnë vetëm faturën korrente si Ujësjellës-Kanalizime Fier, Elbasan dhe Sarandë.

Disa shoqëri e paguajnë pjesërisht faturën si UK Durrës, 34% të faturës, UK Lushnjë, 58%, UK Shkodër, 59% apo dhe UK Vlorë, 64%. Ndërsa, mund të themi, kemi shoqëri në pikë kritike, të cilat nuk kanë asnjë mundësi pagese, si UK Cërrik, Patos, Kavajë, Kurbin, Selenicë, Tepelenë, Libohovë nënvizoi Çela.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al