Vendosni fjalën kyçe....

Kujdesi për resurset natyrore, Shqipëria çalon në shëndetin mjedisor


Pothuajse të gjitha vendet nuk janë në rrugën e duhur për të përmbushur objektivin zero neto të emetimeve të gazeve serrë të vendosur nga Pakti i Klimës së Glasgout 2021, sipas Indeksit të Performancës Mjedisore 2022*.

Sipas raportit, Shqipëria renditet e 62-ta, nga 180 shtete të marra në studim, sa i përket performancës së mbrojtjes së mjedisit. E parë në një këndvështrim rajonal, Maqedonia e Veriut ka performuar më mirë, e renditur e 34-a, ndërsa ata që s’kanë bërë mirë detyrat e shtëpisë janë Serbia e 79-a dhe Bosnja e Hercegovina e 102-a.

Nënkategoritë ku Shqipëria ka performuar më pak ka qenë adresimi i politikave të duhura për zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe shëndeti mjedisor në tërësi.

Nënkategoritë e marra në studim për të bërë vlerësimin përfundimtar janë: Shëndeti Mjedisor, Vitaliteti i Ekosistemit dhe Ndryshimi i Klimës.

Tendencat mbarë botërore sugjerojnë se shumë vende kanë bërë përparim të rëndësishëm gjatë dekadës së fundit në çështjet kritike të shëndetit mjedisor si kanalizimet, uji i pijshëm dhe ndotja e ajrit të brendshëm. Këto përfitime tregojnë se investimet në infrastrukturën mjedisore, si objektet e trajtimit të ujërave të zeza dhe teknologjitë më të mira të energjisë shtëpiake – të tilla si sobat më të pastra – mund të përkthehen në përmirësime të shpejta në shëndetin publik. Metrikat e reja të cilësisë së ajrit të EPI tregojnë, megjithatë, se banorët në shumicën e vendeve ende thithin ajër të pasigurt. Më shumë se tetë milionë njerëz vdesin para kohe çdo vit nga ekspozimi ndaj ndotësve të ajrit të brendshëm dhe të ambientit. Vendet e Azisë Jugore, si India, Nepali dhe Pakistani, janë veçanërisht të prapambetura në cilësinë e ajrit.

Më shumë se 50% e emetimeve në vitin 2050 janë planifikuar të vijnë nga Kina, India, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, sipas trajektoreve të parashikuara të vendeve bazuar në të dhënat nga viti 2010 deri në vitin 2019. Duke mbetur prapa kolegëve të saj, Shtetet e Bashkuara u renditën e 43-ta nga 180 vende në indeks. Kjo renditje pasqyron rikthimin e mbrojtjeve mjedisore gjatë administratës Trump, e cila shfuqizoi ose dobësoi gati 100 rregullore mjedisore, u tërhoq nga Marrëveshja e Parisit për Klimën dhe dobësoi standardet e efikasitetit të karburantit. Renditja e përgjithshme i vendos Shtetet e Bashkuara pas shumicës së demokracive të pasura perëndimore, duke përfshirë Francën (e 12-tën), Gjermaninë (13), Australinë (17), Italinë (23-tën) dhe Japoninë (e 25-tën).

*Një analizë nga hulumtuesit e Yale dhe Columbia që ofron një përmbledhje të bazuar nga të dhënat e shtetit të qëndrueshmërisë në mbarë botën.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al