Vendosni fjalën kyçe....

Mbledhja e grupit parlamentar/ Berisha: Mbështetje e plotë për pedagogët, Rama po i çon universitetet drejt shkatërrimit


Po zhvillohet mbledhja e Grupit Parlamentar të partisë Demokratike. Në pjesën e parë të zhvilluar para gazetarëve, kryetari i PD-së Lulzim Basha tha se sot janë mbledhur për një rivlerësim të projektligjit për ndryshimet e ndarjes territoriale.

Në fjalën e tij, ai u ndal tek protesta e pedagogëve, kërkesat e të cilëve i konsideron legjitime.

“Sot, ne mblidhemi për një rivlerësim të projektit të përgatitur nga grupi i punës, i drejtuar nga zoti Bylykbashi, për reformën territoriale, në të cilën kanë kontribute specialistët më të mirë, Sekretariati i Qeverisjes Vendore, deputetë dhe specialistë më të mirë të fushës.

Dua të shpreh mbështetjen e plotë të PD për pedagogët që janë në protestë. Sot organizuan një protestë të fuqishme para Universitetit Politeknik për kërkesat më legjitime të tyre.

I garantoj se PD qëndron në mbështetje të çdo kërkese që ata sot i drejtojnë një qeverie arrogante, mashtruese dhe hajdute. Kërkesat e pedagogëve, punonjësve dhe studentëve janë klithma të vërteta për të shpëtuar arsimin universitar në Shqipëri, që është në rrokullisje të madhe.”– tha Berisha.

Ish-kryeministri u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen me protestën e pedagogëve.

“Ndaj me këtë rast, i bëj thirrje çdo pedagogu, çdo asistenti, çdo laboranti, çdo punonjësi në universitet, çdo studenti dhe çdo familjari, të mos përkulen para këtij qëndrimi arrogant, cinik dhe mashtrues të një njeriu, që de facto po i çon universitetet drejt shkatërrimit.

U bëj thirrje qytetarëve, të mbështesin këtë protestë me të gjithë potencialin e tyre si një kusht për të ruajtur universitetet si shtëpitë ku formohen intelektualët shqiptarë.

Ndaj duke përgëzuar sindikatën e punonjësve të universiteteve, duke përgëzuar këdo që mori pjesë në atë protestë masive, duke dënuar deklaratat cinike të Edi Ramës, u bëj thirrje që të vazhdojë kjo betejë. I garantoj se PD do qëndrojë fuqishëm në mbështetje të kërkesave të drejta dhe shpëtimtare.”– shtoi Berisha.