Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Arsimtarët shqiptarë më të keqpaguarit në rajon dhe kontinent, Rama nuk ka bërë asgjë në 10 vjet


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka shpërndarë të dhënat e përpiluara nga “Euronews” mbi pagat e arsimtarëve në rajon dhe kontinent ku Shqipëria renditet e fundit.

Meta thotë se Edi Rama dhjetë vjet në pushtet nuk ka bërë asgjë për të ndryshuar këtë gjendje.

Kreu i PL-së kërkon që rritja e pagave për mësuesit dhe pedagogët të jetë pritoritet i parë.

Dita ndërkombëtare e mësuesit i gjen sot arsimtarët shqiptarë më të keqpaguar se të gjithë kolegët e tyre në rajon dhe në kontinent.

Të dhënat e përpiluara nga Komisioni Europian, të bëra po sot publike nga “Euroneës” e renditin pagën e mësuesit shqiptar të fundit në Europë me rreth 4,233 euro në vit, shumë herë më pak se të ardhurat vjetore nga paga të një mësuesi në Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Serbi apo Malin e Zi ku mësuesit paguhen dy herë sa këtu.

Dhjetë vite në pushtet, Edi Rama nuk bëri asgjë për të ndryshuar gjendjen e rëndë në arsimin shqiptar, përkundrazi Dita Botërore e Mësuesit i gjeti sot pedagogët dhe profesorët në protestë për dinjitetin e tyre, trajtim financiar të paktën sa Kosova dhe kushte më të denja mësimdhënie.

Në vend të dëgjojë zërin e arsimtarëve, Qeveria thellon arrogancën deri në mbylljen e shkollave dhe kopshteve, si dhe refuzon të plotësojë kërkesat e tyre plotësisht të drejta dhe të realizueshme.

Shqipëria ka buxhetin më të ulët në rajon për arsimin sepse prioriteti i Rilindjes janë inceneratorët, koncensionet, PPP-të, rrugët e florinjta dhe tenderat sekretë.

Arsim cilësor pa buxhetim nuk mund të ketë!

Vetëm arsimi, si prioritet kombëtar, sjell zhvillim të qëndrueshëm, frenon shpopullimin dhe garanton të ardhmen e sigurt europiane!

Rritja e menjëhershme e pagave për pedagogët dhe profesorët duhet të jetë hapi i parë!”-shkruan Meta.