Vendosni fjalën kyçe....

OPEC+ shkurton prodhimin, rriten çmimet e naftës


Çmimet e naftës u rritën të mërkurën në nivelet më të larta të tre javëve, pasi OPEC + ra dakord për shkurtimet e tij më të thella të prodhimit që nga pandemia COVID 2020, pavarësisht se tregu nuk ishte shumë i favorshëm dhe Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët ishin kundër këtij vendimi.

Çmimet u rritën gjithashtu nga të dhënat e qeverisë amerikane që treguan se inventarët e naftës së papërpunuar dhe karburantit ranë javën e kaluar.

Treguesi referencë i naftës së papërpunuar Brent u rrit 2,01 dollarë, ose 2,2%, në 93,81 dollarë për fuçi. Brent arriti një nivel më të lartë sesioni prej 93,96 dollarë për fuçi, më i larti që nga 15 shtatori.

Nafta referencë amerikane e Teksasit Perëndimor (WTI) u rrit 1,78 dollarë ose 2,1%, në 88,30 dollarë për fuçi. Treguesi arriti në 88.42 dollarë për fuçi gjatë seancës, më i larti që nga 15 shtatori.

Si Brent ashtu edhe WTI u rritën ndjeshëm në dy ditët e fundit.

Ulja prej 2 milionë fuçi në ditë nga OPEC + mund të nxisë një rritje të çmimeve të naftës që kanë rënë në rreth 90 dollarë nga 120 dollarë tre muaj më pare. Cmimet ranë nga frika e një recesioni ekonomik global, rritjes së normave të interesit të SHBA dhe një dollari më të fortë.

Nafta ishte rritur këtë javë pasi tregjet ishin në pritje të shkurtimeve, tha Fiona Cincotta, analiste e lartë e tregjeve financiare në City Index.

Në gusht, OPEC+ humbi objektivin e tij të prodhimit me 3.58 milionë fuçi në ditë, pasi disa vende tashmë po pomponin shumë nën kuotat e tyre ekzistuese.

Shtetet e Bashkuara po i bënin presion prodhuesve të OPEC+ që të shmangnin shkurtime të thella, tha një burim i njohur me këtë çështje për Reuters, pasi Presidenti Joe Biden kërkon të parandalojë një rritje të çmimeve të benzinës në SHBA përpara zgjedhjeve afatmesme të Kongresit më 8 nëntor.

Biden është përballur me çmimet më të larta të benzinës gjatë gjithë vitit, por që kanë rënë së fundmi, zhvillim që administrata e tij e ka shpallur si një arritje të madhe.

Në SHBA, rezervat e papërpunuara, benzina dhe inventarët e distilimit ranë javën e kaluar, tha Administrata e Informacionit të Energjisë. Inventarët e naftës së papërpunuar shënuan një rënie të të papritur prej 1.4 milionë fuçi në 429.2 milionë fuçi.

Çmimet në Shqipëri

Në Shqipëri, nafta tregtohet aktualisht me 223 lekë për litër. Ndonëse në Bursa ajo ka rënë në nivelet e para luftës së Rusisë, në vend është 20% më shtrenjtë se në fund të shkurtit, kur dhe filloi rritja e fortë e karburanteve.

Që prej fillimit të muajit mars çmimet e naftës, benzinës dhe gazit caktohen në nivele tavan nga Bordi i transparencës, i krijuar nga qeveria. Pavarësisht krijimit të bordit, çmimet nuk kanë arritur të frenohen. Përkundrazi, Shoqata e Hidrokarbureve është ankuar shpesh se fiksimi i çmimeve ka bërë të kundërtën, pasi operatorët janë të detyruar të bëjnë blerje në bazë ditore dhe nuk janë fleksibël të manovrojnë në treg kur janë kushtet më të favorshme. Ndërkohë, kjo situatë ka çuar në mbylljen e pikave të vogla, por edhe shtim të evazionit, teksa në shumë pika karburanti shpesh tregtohet pa faturë fiskale.

VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Revista Monitor