Kryeministri Edi Rama i ka konsideruar “qiqra në hell” kërkesat e bëra nga pedagogët për rritje page.
Gjatë fjalës së tij në një vizitë në Universitetin Bujqësor, Rama theksoi se komuniteti universitar është një sektor që ka autonomi në vendimmarrje dhe pjesërisht në financim.
Rama tha se nuk mund të bëhen këto kërkesa kur shërbimi që jepet nuk është njësoj në të gjitha institucionet e arsimit të lartë.
“Për çfarë është autonomia? Për çfarë e zgjidhni ju Bardhin dhe jo konkurentët e tij?! Po të mos ishte autonomia Bardhin nuk e zgjidhja unë se ai është demokrat. Por nuk e zgjedh unë dhe ne me Bardhin bashkëpunojmë shkëlqyeshëm se partitë i lëmë të dera. Ju vetëqeveriseni.
Të jesh një komunitet që vetëqeverisesh dhe të thuash që unë autonominë e dua për të mos dhënë llogari por të gjitha të tjerat i dua nga ty o shtet, o qeveri. Kjo nuk bën asnjë sens. Kërkohen qiqra në hell në raport me kohën që jetojmë.
Aq më tepër shërbimi që jep universiteti nuk e kemi kudo aq të mirë. Sepse nuk do kishim universitete në territor që kanë gjithmonë e më pak studentë. Ky nuk është rasti i UBT-së. Ka një budallëk që qarkullon që po studiosh në UBT nuk ke perspektivë. Sa më shumë të kalojnë vitet aq më shumë do të vlerësohen njerëzit që kanë dije për ushqimin, burimet.
Në këtë territor do të vijë dita që kërkesat do të jenë të papërballueshme. Sepse nuk do të zgjidhen problemet e ushqimit dhe klimës me juristë. Do të vijë momenti që kushdo e kuptojë që është e humbur rruga duke u turrur të gjithë te juridiku.”- deklaroi ai.