Pedagogët kanë paralajmëruar një tjetër protestë për në datën 17 tetor në rast se kërkesat e tyre nuk plotësohen.
Gjatë zhvillimit të protestës ata u njohën me ofertën e kryeministrit Rama për rritje page me 7% javës që vjen duke theksuar se nuk mund të merret parasysh.
Kreu i sindikatës Aleksandër Kovaçi tha se pret që kryeministri të reflektojë pasi qeveria i ka hapësirat financiare të shtojë financimin për universitetet.
“Duke pritur kryeministrin të realizojë kërkesën e ofertës tonë, me krizën që supozon kryeministri, ne i kemi ulur kërkesat tona. Duke ju falënderuar, nëse nuk kemi një përgjigje dinjitoze, në datën 17 do jemi sërish në proteste. Të jemi të qartë se sindikata i ka përkrahur protestat e studentëve. Mendojmë që ato ishin të drejta. Nuk është rritje ajo që ofron kryeministri. Le të heqë dorë nga investimet strategjike dhe t’i kalojë fondet për pagat në universitet. Kryeministri vijon me teorinë e rritjes 7%, 5% apo 9%. Kjo nuk është rritje. Pagat e universitetit nuk kanë pasur as indeksim. I themi të mbledhë këto të gjitha njëherë sepse ka mbajtur dhe interesat sepse nuk ka indeksuar as inflacionin. Pra ka hapësira qeveria të shtojë 20-30 milionë euro për universitetin. Ne e dimë, kryeministri e di shumë mirë që drejton 12 nga 13 borde të administrimit, ne i dimë shumë mirë të ardhurat. Nuk dalin lekët për të blerë letër tualeti. Duhet të ndërgjegjësojmë kryeministrin që të shohë arsimin e lartë si përparësi dhe t’i thërrasë arsyes.” – tha Kovaçi pas përfundimit të protestës së sotme.