Vendosni fjalën kyçe....

Reforma territoriale/ Berisha i shtrin dorën për bashkëpunim Alibeajt: Të ulemi dhe të biem dakord për një draft të përbashkët


Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PD-së, ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë propozimin për një draft të përbashkët të demokratëve për Reformën Territoriale.

Ai tha se nga grupi parlamentar i PD i ndarë më dysh kanë dalë dy drafte, por shtoi se do të ishte mirë të arrihet një dokument i përbashkët i dakordësuar nga të gjithë deputetët e opozitës, përfshirë këtu edhe partitë aleate. Ai fton kështu edhe grupin e Enkelejd Alibeajt që të bashkëpunojnë në një çështje me rëndësi si Reforma Territoriale.

“Në punën për reformën territoriale janë mbajtur parasysh ndryshimet e thella që ka pësuar vendi këto vite. Por janë marrë për bazë, dy projekte serioze të specialistëve shqiptarë dhe të huaj, të sponsorizuar nga qeveria e Zvicrës.

Sot dëgjoj që një grup deputetësh të po kësaj partie, në mënyrë të pavarur, kanë dorëzuar një draft me 94 bashki.

Unë mendoj se ky draft i dorëzuar dhe ky që është përgatitur dhe është më i thelluar në çdo aspekt, të ulemi bashkërisht dhe të arrihet në një draft të PD-së, që të përfaqësojë interesat më të mira të qytetarëve shqiptarë.

Pra, nuk ka asnjë gjë, edhe një deputet i vetëm mund të mbështesë ligj, projekt apo reformë, kështu që ulja me ta në komisione dhe jashtë komisioneve, dhe gjetja e një ujdie për një projekt që ta mbështesin të gjithë deputetët e opozitës, duhet të diskutohet edhe me partitë aleate në parlament, duhet të diskutohet me Partinë e Lirisë, duhet të diskutohet me të gjitha partitë opozitare.

Natyrisht, ne kurrë nuk bëhemi pjesë e një loje të qeverisë dhe as të pazareve me të. Ne e kemi publik projektin. Projekti shpreh interesat më të mira.

Nuk besoj se Edi Rama është serioz në çështjen e reformës. Nuk ndodh. Gënjen.

Pavarësisht nga kjo, ishte në detyrimin tonë që të paraqesim një projekt më të mirin.”- deklaroi Berisha.