Vendosni fjalën kyçe....

Akuza e Blushit: Media e kapur nga Rama përhapi lajmin e rremë për Ilir Metën, s’ka kërkuar të shkojë i ftuar në Berlin


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë ka denoncuar si ‘fake news’ një lajm të publikuar në një media në vend sipas të cilit kreut të partisë, Meta, i është refuzuar pjesëmarrja në një takim të Partive Socialiste Evropiane, në kryeqytetin gjerman, Berlin.

Blushi shkruan se Meta nuk ka kërkuar të shkojë i ftuar diku në Berlin dhe as ka kërkuar ftesë për të marrë pjesë në ndonjë veprimtari atje.

Ai thekson se media në fjalë, që është në shërbim të propagandës së kryeminisrtrit Rama ka përhapur një lajm të rremë.

Blushi sqaron më tej se email-i që pretendohet se është dërguar, nuk ka ardhur në adresën zyrtare të Partisë së Lirisë por në adresën e ish-deputetit të LSI-së Ralf Gjoni ‘info@lsi.al’ dhe në adresën false të Monika Kryemadhit që nuk ekziston ‘monika.kryemadhi@gmail.com’.

Blushi i bën thirrje medias në fjalë që të tregojë emrin e ‘gjermanit’ që ia ka servirur këtë gjë duke e përsëritur se bëhet fjalë për një lajm krejt të rremë.

“Një rast flagrant, për të ardhur keq, se si në mungesë të theksuar profesionalizmi, një media e kapur dhe në shërbim 24/24 të propagandës së fëlliqur të qeverisë, dezinformon hapur duke gënjyer ditën për diell lexuesit, me një mashtrim kaq të trashë. Ilir Meta as ka kërkuar të shkojë i ftuar diku në Berlin dhe as ka kërkuar ndonjë ftesë se ka punë shumë të rëndësishme në Shqipëri!

Email që pretendohet nuk është çuar në adresën e Partisë së Lirisë, por në adresën info@lsi.al, në email të Ralf Gjonit dhe adresën fake të Monika Kryemadhit, që nuk ekziston: monika.kryemadhi@gmail.com. Asnjë surprizë nga një portal i ulur në gjunjë para Edi Ramës, i financuar nga paratë që qelben erë incenerator, mafie vendase dhe italiane!

Dhe nëse ky ‘Fake News’ nuk është produkt i tyre le të tregojnë emrin e ‘gjermanit’ që ja u ka servirur, i cili me siguri duhet të jetë ndonjë nga ata qejflinjtë e eurove që financohen me fondet e kartelit Sinaloa! Edhe shtyllës së turpit do t’i vinte ndot të publikonte një gënjeshtër kaq të pështirë!  Ndaj këtë ‘Fake News’ merreni, bëjeni shuk dhe futjani Edvinit dhe Taos atje ku u shijon më shumë! Dhe mos harroni: Refuzoni të ndotni sytë duke lexuar të tilla portale të mbushura me gënjeshtra!” – shkruan Blushi.