Vendosni fjalën kyçe....

Balla pas takimit me presidentin Begaj: Nuk propozuam një datë, PS gati për zgjedhje kurdo dhe t’i fitojë ato


Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla zhvilloi sot një takim me presidentin Bajram Begajn në Presidencë.

Pas këtij takimi, ai foli në një prononcim të shkurtër për mediet ku u shpreh se afati i mundshëm për zhvillimin e zgjedhjeve lokale është periudha nga data 15 prill deri në 15 maj duke marrë parasysh edhe festat zyrtare që mund të rastisin brenda këtyre datave.

Ai shtoi se PS është gati të marrë pjesë në zgjedhje dhe po ashtu t’i fitojë ato në çdo kohë.

“Mendoj që të gjitha partitë politike duhet të zbatojnë kompetencën e drejtpërdrejtë të presidentit të republikës. Një gjë është e sigurt që zgjedhjet mund të zhvillohen brenda afatit 15 prill-15 maj duke marrë parasysh ndonjë festë zyrtare brenda këtij afati.

Nuk kemi dhënë propozim për ndonjë datë të caktuar. PS është e gatshme të marrë gjithmonë pjesë në zgjedhje dhe t’i fitojë ato. Ajo që vërej me vlerësim maksimal është gatishmëria e presidentit për të dëgjuar të gjithë aktorët politikë.”- deklaroi ai.