Kreu i PD-së Berisha akuzoi kryeministrin Rama për mënyrën si po e trajton grevën e pedagogëve ndërsa tha se ai po ndërzen studentët kundër pedagogëve.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend ai tha se Rama ka si synim shkatërrimin e arsimit të lartë ndërsa i kërkoi qeverisë që të trajtojë pedagogët njësoj siç bën Kosova.
“Nga kjo platformë dua të shpreh mbështetjen time të fortë për studentët, pedagogët dhe punonjësit e universiteteve të cilët kanë nisur një proces proteste të fuqishme për shkak të keqtrajtimit, nënçmimit që i bëhet atyre me qëllimin e vetëm, shkatërrimin e arsimit të lartë në Shqipëri. Dënoj këtu me forcën më të madhe përpjekjen e Ramës për të ndërsyer studentët kundër pedagogëve të tyre. Dënoj përpjekjen e Ramës për t’u tallur me botën akademike universitare shqiptare. Dënoj me ashpërsinë më të madhe qëndrimin që mban ndaj kërkimit shkencor. Asfiksi që i ka krijuar kësaj fushe jetike për arsimin, për shkencat në Shqipëri. Dënoj mungesën e ndjeshmërisë totale ndaj studentëve. Kërkoj plotësimin e kërkesave të tyre. Çdo student të subvencionohet, asnjë qindarkë më pak për krizën se në Kosovë. 100 euro, çdo pedagogu duhet t’iu rritet rroga të paktën sa është në Kosovë. Pse në Kosovë pedagogu të marrë 1500 euro, në Shqipëri 800-900 euro. Pse Kosova qenka më e pasur se ne? Kërkoj që punonjësit e tjerë të universitetit të kenë trajtimin identik me punonjësit e tjerë në Kosovë. Kërkoj 10-fishimin e fondeve për buxhetin për shkencë. Çdokush që mund ta dëgjojë, mund të çuditet si ka mundësi që kërkon 10-fishimin, sepse është 10 herë më i vogël fondit se në Kosovë. E ka fshirë tërësisht kërkimin shkencor nga axhenda.” – pohoi Berisha.