Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka ngritur akuza të forta në Kuvend, në lidhje me fatin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj i cili rezulton i zhdukur prej muajit gusht.
Salianji bëri një deklaratë të papritur, duke thënë se 5 minuta para se të bëhej kontrolli në hotelin ku ndodhej Ervis Martinaj, i është dërguar mesazh të shumëkërkuarit që të largohej.
“Ju kanë ikur persona me rekorde të tmerrshme. Policia e Shtetit matet me objektiva konkretë, të ka thënë ish-drejtori jot i përgjithshëm se operacioni Plumbi i Artë është dekonspiruar dhe nga 32 persona, arritët të kapni 18 persona. Ore më parë flitej me emra këtu. Ju kanë ikur personat me rekordet më të tmerrshme, di gjë sot ku e ke Talo Çelën? Kur del e-maili që policia di që ai qarkullon në mes të qytetit, policia ka informacion dhe s’ka asnjë veprim ndërkohë që nxirrni policët me nga dy turne për t’i mbajtur kot në postblloqe. Ku e keni Suel Çelën se e keni shpallur disa herë në kërkim, po Fatos Goga, Florenc Çapja, Kamber Mehja.
Po Ervis Martinaj ku është? Si jepni dot përgjigje, nëse është gjallë apo vdekur. Ju e dini, dhe po e them këtu atë që qarkullon nën zë te drejtuesit e policisë. 5 minuta para se të shkonte në hotel policia e shtetit, e keni lajmëruar që të largohej, sepse keni pasur tjetër plan.”-tha Salianji.