Vendosni fjalën kyçe....

Evropa përballet me deindustrializim e trazira sociale, duhet ndërhyrje e menjëhershme – Kryeministri belg


Europa së shpejti mund të përballet me një zvogëlim të ndjeshëm të prodhimit aktivitetit industrial dhe trazirave sociale nëse nuk bëhet diçka për të ulur çmimet e energjisë para fillimit të dimrit, ka paralajmëruar kryeministri belg Alexander De Croo.

Në një intervistë me Financial Times të botuar të enjten, ai tha se nëse nuk do ketë një ndërhyrje në tregjet e gazit, ‘ne rrezikojmë deindustrializimin masiv të kontinentit evropian dhe pasojat afatgjata që mund të jenë në të vërtetë shumë të thella’.

De Croo këmbënguli në një qasje shumështresore ndaj krizës së gazit, për të cilën ai thotë se duhet të përfshijë një kufi çmimi për gazin natyror rus, bisedime me furnizues si Norvegjia dhe Algjeria dhe një kufi ‘dinamik’ mbi çmimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG), për të cilin ai sugjeron se mund të vendoset pak mbi çmimet në SHBA ose Azi për të siguruar furnizime të vazhdueshme në Evropë.

Udhëheqësi belg paralajmëroi gjithashtu se qeveritë duhet të jenë ‘të matura’ jo vetëm për të kundërshtuar inflacionin në rritje, i cili rrjedh nga çmimet e larta të energjisë, por edhe për të trajtuar rrezikun e trazirave sociale që vijnë me të.

“Popullatat tona po përballen me fatura të cilat janë krejtësisht të çmendura. Në një moment, filli do këputet. Unë e kuptoj që njerëzit janë të zemëruar, njerëzit nuk kanë mjetet për ta paguar atë.” – tha De Croo për FT.

Komentet e tij vijnë pasi mijëra demonstrues u mblodhën në Bruksel në fund të shtatorit për të kërkuar paga më të larta dhe çmime më të ulëta të energjisë pasi u zbulua se rreth 64% e qytetarëve të vendit thanë se nuk ishin në gjendje të paguanin faturat e tyre të energjisë, të cilat kishin arritur një mesatare marramendëse prej 700 eurosh në muaj.