Vendosni fjalën kyçe....

Ish-oficeri sulmon çerdhen e fëmijëve në Tajlandë, flitet për 34 viktima


Të paktën 34 persona janë vrarë dhe të tjerë janë plagosur në një sulm me armë dhe thikë nga një ish-oficer policie në një qendër parashkollore në Tajlandë. Fëmijë dhe të rritur janë në mesin e viktimave në çerdhe.

Sipas BBC-së, Policia thotë se ai vrau veten dhe familjen e tij pas një gjuetie pas sulmit në provincën Nong Bua Lamphu.

Ende është e paqartë se cili ishte motivi i këtij sulmi. Policia thotë se oficeri u shkarkua vitin e kaluar.

Viktimat e sulmit përfshijnë fëmijë deri në dy vjeç. Të paktën 12 persona janë plagosur.

“Autori erdhi rreth orës së drekës dhe qëlloi së pari katër ose pesë zyrtarë në qendrën e kujdesit për fëmijët.”– tha një zyrtare lokale Jidapa Boonsom, e cila po punonte aty pranë.

“Në fillim njerëzit menduan se ishin fishekzjarre.”- tha ajo, duke shtuar se personi i armatosur më pas hyri në një dhomë të mbyllur ku flinin fëmijët.

Kryeministri i Tajlandës Prayuth Chan-ocha i përshkroi të shtënat si “një ngjarje tronditëse”.

Sulmuesi është identifikuar si ish-oficeri i policisë, Panya Kamrab. Ai u largua nga vendi i ngjarjes me një kamionçinë Toyota me targa regjistrimi të Bangkok.

Një oficer i lartë i policisë në provincën Nong Bua Lamphu tha se 23 fëmijë ishin në mesin e viktimave, raporton agjencia e lajmeve AFP.

Ai tha se Kamrab, një nënkolonel policie, ishte shkarkuar nga detyra vitin e kaluar për përdorim të drogës.

Të shtënat masive në Tajlandë janë të rralla, megjithëse nivelet e posedimit të armëve janë relativisht të larta për rajonin. Armët ilegale janë gjithashtu të zakonshme në vendin e Azisë juglindore, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Sulmi në çerdhe vjen më pak se një muaj pasi një oficer i ushtrisë vrau dy kolegë të tij në një bazë në Bangkok. Në vitin 2020 një ushtar vrau 29 persona dhe plagosi dhjetëra të tjerë në qytetin Nakhon Ratchasima.