Vendosni fjalën kyçe....

Koreja e Veriut lëshon raketën e gjashtë në dy javë


Koreja e Veriut ka lëshuar ​​dy raketa të tjera balistike këtë të enjte, duke shkuar në gjashtë raketa të lëshuara në më pak se dy javë.

Siç shkruan BBC, Pheniani e përshkroi lëshimin e fundit si “vetëm masë kundërveprimi” ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut.

Të martën, Pheniani gjuajti një raketë mbi Japoni, duke bërë që SHBA të thërriste një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në takim, SHBA-ja akuzoi Rusinë dhe Kinën për mbrojtjen e Veriut nga sanksionet më të forta.

Duke kundërshtuar sanksionet e mëtejshme Moska dhe Pekini i kishin dhënë Phenianit “mbrojtje të plotë“- tha ambasadorja e SHBA-ve në OKB. Përfaqësuesit kinezë dhe rusë thanë se rritja e dialogut ishte më mirë se ndëshkimi.

Për dy muajt e fundit, SHBA, Koreja e Jugut dhe Japonia kanë zhvilluar një sërë stërvitjesh të kombinuara, ndërsa praktikojnë se si të mposhtin dhe pengojnë një sulm të Koresë së Veriut. Këto stërvitje kanë antagonizuar liderin e Koresë së Veriut Kim Jong-un, i cili i sheh ato si provë që armiqtë e tij po përgatiten për luftë.

Në deklaratën e tij, Veriu akuzoi SHBA-në për “përshkallëzimin e tensioneve ushtarake në gadishullin Korean”.

Të mërkurën, SHBA, Japonia dhe Koreja e Jugut kryen stërvitje të tjera, të cilat ata thanë se ishin një përgjigje ndaj raketës së lëshuar të martën. Shtetet e Bashkuara thanë se nuk kishte “asnjë ekuivalencë” midis testimit të ndaluar të raketave dhe stërvitjeve të sigurisë.