Në interpelancën e sotme në Kuvend, deputeti i PD-së Ervin Salianji ka vijuar replikat me ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi lidhur me krimin në vend.
Ai akuzoi qeverinë se ka përzier Policinë me kriminelët.
Salianji u shpreh se policisë i kanë ikur persona me rekorde të tmerrshme kriminale dhe se nuk flitet me emra. Kështu ai përmendi vetë disa emra nga bota e krimit të cilët sot jashtë të lirë ndërkohë që duhej të ishin pas hekurave.
“Me këto shifrat po na e kaloni në matematikë se deri tani ka mbajtur dikush këtej rekord në matematikë. Do ta them tani se pse. Nuk kam dëgjuar për ju akuza si për ministrat paraardhës, pro që flisni njësoj si ministrat e tjerë paraardhës. Në çdo rast çdo ministri paraardhës i juaji ka thënë situata më e mirë e rendit.
Norma e vrasjeve për 100 mijë banorë, Shqipëria është e pesta. Nuk mund të bëjmë llogaritje të tilla që 10 karikatorë baras me 20 plumba. Më shkruajnë prindër të viktimave policia ishte 50 m larg dhe nuk ndërhynte dot. Si në Elbasan për zgjedhjet, policia ishte aty dhe ishte e pafuqishme.
Nuk u përgjigjët cili është objektivi që ka drejtori i ri i Policisë së thatë për atë që ishte se nuk e kishte përmbushur.
E thotë vartësi juaj, drejtori i Policisë, përforcimi i zbatimit të ligjit. Finalizimi i reformës në policinë kriminale, vetëm kjo është konkrete. Thatë që nuk ka dështuar procesi i vettingut, po si nuk ka dështuar, keni kaluar në vetting 50 punonjës nga 12 mijë e kusur. Vetëm punonjës që paguan buxheti sot ka harxhuar miliona euro. Imagjino ju që thoni që do sjellim një ligj që vettingun e policëve do e bëjë i famshmi Ardi Veliu i pashkollë. Atij jepini abetaren. Në një letër dorëheqje ka bërë 50 gabime gramatikore. Ju doni kontroll tjetër se erdhën zgjedhjet që t’i përdorni për grupet kriminale.
Ju kanë ikur persona me rekorde të tmerrshme. Policia e Shtetit matet me objektiva konkretë, të ka thënë ish-drejtori jot i përgjithshëm se operacioni Plumbi i Artë është dekonspiruar dhe nga 32 persona, arritët të kapni 18 persona. Ore më parë flitej me emra këtu. Ju kanë ikur personat me rekordet më të tmerrshme, di gjë sot ku e ke Talo Çelën? Kur del e-maili që policia di që ai qarkullon në mes të qytetit, policia ka informacion dhe s’ka asnjë veprim ndërkohë që nxirrni policët me nga dy turne për t’i mbajtur kot në postblloqe. Ku e keni Suel Çelën se e keni shpallur disa herë në kërkim, po Fatos Goga, Florenc Çapja, Kamber Mehja.
Po Ervis Martinaj ku është? Si jepni dot përgjigje, nëse është gjallë apo vdekur. Ju e dini, dhe po e them këtu atë që qarkullon nën zë te drejtuesit e policisë. 5 minuta para se të shkonte në hotel policia e shtetit, e keni lajmëruar që të largohej, sepse keni pasur tjetër plan.”-tha Salianji.