Vendosni fjalën kyçe....

Tritan Shehu thirrje nga Kuvendi: Më shumë sensibilizim për kancerin e gjirit, nuk është më ai djalli i zi vdekjeprurës, por qeveria të shtojë financimet


Në nisje të seancës së sotme plenare në Kuvend, deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu si mjek theksoi nevojën e rritjes së sensibilizimit për sëmundjen e kancerit të gjirit, në kuadër të muajit ‘Tetori rozë’.

Shehu kërkoi shtim të financimeve për të përballuar sëmundjen e rëndë.

“Ka qenë një traditë në parlamentin tonë që në këtë muaj të kancerit të gjirit të krijohet sensibilizm në Kuvend.

Kjo është e domosdoshme jo se kemi të bëjmë me një patologji të rëndë, por duhet sensibilizim, të institucioneve shëndetësore, të qeverisë. Të përballesh me tumore dhe në shpëtim të jetëve të njerëzve.

Sot tumoret nuk janë më ai djalli i zi vdekjeprurës, por element dhe patologji e rëndë, por me organizim të mirë të sistemit shëndetësor, me diagnostikim të hershëm dhe me mjekim adekuat, janë arritur suksese të mëdha në uljen e vdekshmërisë. Sot ka shifra inkurajuese me një nivel 60-70 % e tyre.

Një kategori e madhe që mund të përfitojnë janë padyshim zonjat që preken nga tumoret e gjirit. Kemi raste me vdekshmëri 360 në vit nga vdekshmërisë nga tumoret e gjiri. Ka vend shumë për të folur, për të shtyrë qeverinë dhe për të shtuar financimet.”– tha Shehu.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla pas këtyre fjalëve, tha se duhet të nxiten vajzat dhe gratë të bëjnë mamografi për t’u diagnostikuar.