Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa pyet Margaritin: Si e përzgjodhët Richard Hodges për të administruar Butrintin, ka thënë që është tokë greke


Deputetja e PD-së Ina Zhupa ka pyetur sërish ministren e Kulturës Elva Margariti mbi kriteret e përzgjedhjes së Richard Hodges në bordin e Parkut të Butrintit.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend Zhupa iu drejtua ministres duke i thënë se nuk kishte marrë ende përgjigje mbi emrin e Hodges, i cili ka deklaruar se jugu i Shqipërisë i përket Greqisë dhe se aty nuk ka pasur shqiptarë, por grekë të cilët janë përzënë pas marrëveshjes për krijimine shtetit shqiptar.

“Këta kanë zgjedhur për të menaxhuar trashëgiminë kulturore, Butrintin, një njeri që thotë se Saranda është greke, që duhet të jetë tokë greke, që Butrinti është grek, që duhet të jetë tokë greke. Dhe çdo gjë tjetër që ministrja kërkon të fshehë, s’e fsheh dot të vërtetën. Nuk ia heq dot zërin Richard Hodges. Nuk e fsheh dot faktin që Butrinti është me koncesion, s’e fsheh dot faktin që KLSH-ja s’e auditon dot, që nuk ka Konventë, apo sens logjik që shtetet të dorëzojnë pasurinë e tyre kombëtare te njerëz privatë, të cilët në këtë rast kanë edhe qëllime të dyshimta lidhur me shkrimin e historisë dhe identitetit të një populli. Këtë nuk e zhbën dot sepse e ka bërë këtë dëm dhe të njëjtin dëm që ka bërë me Butrintin, ta bëjë edhe mne vende të tjera të trashëgimisë kulturore dhe do bëjmë gjithçka zonja ministre për të të ndalur.” – tha Zhupa.