Vendosni fjalën kyçe....

Britanikët paralajmërohen për ndërprerje energjie gjatë dimrit


Familjet në Britani mund të përjetojnë një seri ndërprerjesh tre-orëshe të energjisë këtë dimër në rast të një krize të ftohti dhe mungesës së furnizimit me gaz, paralajmëroi të enjten National Grid ESO.

Ajo përshkroi një sërë skenarësh që mund të ndodhin pasi vlerëson një periudhë shumë të pasigurt për furnizimin me energji elektrike.

Në skenarin e tij ‘rasti bazë’, operatori beson se do prodhohen rreth 3.7 gigavat më shumë energji elektrike sesa i nevojitet vendit. Ai parashikon një ‘suficit të mjaftueshëm operacional gjatë gjithë dimrit’.

Operatori i rrjetit theksoi se ishte thuajse i sigurt se do kishte energji elektrike të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat e bizneseve dhe konsumatorëve këtë dimër. Ai tha, megjithatë, se priste që çmimet e gazit dhe energjisë elektrike të mbeten të larta gjatë gjithë sezonit.

Në skenarin më të keq të përcaktuar nga ESO, shtëpitë në të gjithë vendin mund të shohin që ndërprerjet e energjisë elektrike të bëhen një realitet i zymtë.

National Grid ka punuar në një sërë nismash në përpjekje për të menaxhuar ofertën dhe kërkesën këtë dimër. Operatori është gati të vërë në veprim pesë termocentrale me qymyr, të cilat mund të prodhojnë deri në 2 gigavat energji.

ESO do nisë gjithashtu një shërbim më 1 nëntor që do nxisë bizneset dhe konsumatorët të përdorin energjinë jashtë periudhave të pikut të kërkesës, duke përfshirë mbrëmjet e hershme gjatë ditëve të javës.