Udhëheqësit e OPEC-ut hodhën poshtë akuzat se po përdorin energjinë si ‘armë’, pasi Uashingtoni akuzoi organizatën se ‘po mban anën e Rusisë’.
Grupi OPEC+ njoftoi se do shkurtojë prodhimin duke filluar nga nëntori, në mënyrë që të merret me pasigurinë në tregun global.
“A po e përdorni energjinë si armë?” – e pyeti Hadley Gamble e CNBC ministrin e Energjisë të Arabisë Saudite, Princin Abdulaziz bin Salman, në një konferencë shtypi në Vjenë të mërkurën.
“Një pyetje shumë provokuese, së cilës kam kënaqësi t’i përgjigjem, Hadley.” – u përgjigj Princi Abdulaziz.
“Më trego ku është akti i armiqësisë.”
Ndërsa media të ndryshme spekulonin se OPEC mund të frenonte prodhimin me 500,000 deri në 1 milion fuçi në ditë, organizata njoftoi se ulja do arrinte në dy milionë fuçi në ditë, e barasvlefshme me 2% të kërkesës globale.
Është shkurtimi më i madh që nga viti 2020, kur bllokimet e Covid-19 ulën kërkesën për naftë në të gjithë globin.
“Është e qartë se OPEC+ po mban anën e Rusisë me njoftimin e sotëm.” – u tha gazetarëve në bordin e Air Force One, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.
Shtëpia e Bardhë lëshoi gjithashtu një deklaratë nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan dhe Drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar Brian Deese, të cilët thanë se Presidenti Joe Biden ishte ‘i zhgënjyer nga vendimi dritëshkurtër’ për të ulur prodhimin dhe se Biden do ‘këshillohet me Kongresin për mjete shtesë për të ulur kontrollin e OPEC-ut mbi çmimet e energjisë’.
Vendimi i OPEC erdhi ndërsa BE po përgatitej të shpallte një paketë të re sanksionesh kundër Moskës. Organizata ka ende një ‘derë të hapur’ për BE-në për të diskutuar çështjet e energjisë, i tha Gamble, Sekretari i Përgjithshëm i OPEC-ut Haitham al-Ghais nga Kuvajti.
“Ne nuk po rrezikojmë tregjet e energjisë. Ne po ofrojmë siguri, stabilitet në tregjet e energjisë.” – shtoi al-Ghais.
“Me çfarë çmimi?” – raportoi CNBC.
“Çdo gjë ka një çmim. Siguria e energjisë gjithashtu ka një çmim.” – u përgjigj al-Ghais.