Vendosni fjalën kyçe....

Berisha në Gjirokastër: Qeveria e Ramës ka vjedhur më shumë se çdo qeveri


Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka zhvilluar një komunikim me gazetarët dhe banorët nga qyteti i Gjirokastrës.

Ai u shpreh se PD ka hyrë në fushatë me platformën e primareve dhe se sipas tij do të sjellin një frymë të re në demokracinë shqiptare.

“Natyrisht në këtë tur, vij për t’i informuar qytetarët për ndryshimin që sjell PD. Kur nisëm këtë rrugë, premtimi ynë ishte ndryshimi, si një kusht themelor që forca jonë politike dhe e djathta të vijë në pushtet, pasi ajo kishte humbur disa beteja, ishte bërë e paaftë që të fitonte.

Nëse kjo forcë politike, nuk realizonte ndryshime të mëdha dhe rrënjësore, në kuadrin e këtyre ndryshimeve, ne hyjmë në këtë fushatë elektorale ne hyjmë me një platformë më demokratike se krurë në historinë e vendit, ne hyjmë me platformën e primarëve për qytetarët e parë dhe këshilltarët, parlamentarët lokalë.

Me platformën e primareve ku do votojnë jo vetëm anëtarët, por edhe simpatizantët e PD. Me këtë platformë, ne i japim një frymëmarrje të madhe demokracisë në Shqipëri. Ne nuk heqim dorë nga besimi se vota është themeli i një vendi. Por ajo fillon gjithmonë nga forca jote politike.

Ndaj dhe shfrytëzoj rastin, që t’u bëj thirrje qytetarëve të Gjirokastrës dhe të mbarë vendit, të konsiderojnë në mënyrë serioze kandidimin në primaret e PD dhe aleatëve, pavarësisht se janë apo jo anëtarë të PD. I garantoj se do bëhet gjithçka për një garë transparente.

Shtoj se ky do jetë një kontribut personal i gjithsecilit në praktikimin e pluralitetit brenda një force politike.”– tha Berisha.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij se kanë vjedhur më shumë se të gjithë hajdutët e Shqipërisë në 110 vite së bashku.

Nga Gjirokastra, Berisha ftoi shqiptarët në protesta për dinjitetin, ekzistencën, qenien dhe të ardhmen.

“Situata po bëhet katastrofike. Krahas vendosmërisë për të marrë pjesë në zgjedhje, ka një vendosmëri për të ecur drejt protestave të përgjithshme kombëtare, sa më shpejt të jetë e mundur.

I bëj thirrje shqiparëve arsimtarëve, mjekëve, infermierëve, bizneseve të vogla që po përjetojnë një tirani të vërtetë të çmimit të energjisë dhe taksave, që të ngrihemi kundër këtij dhunimi dhe t’i presim Edi Ramës, faturën që meriton.

Në qoftë se marrim 100 vitet e fundit, ajo që quhet qeveri e Edi Ramës me Edi Ramën në krye ka vjedhur më shumë se çdo qeveri dhe se të gjithë hajdutët e Shqipërisë në 110 vite të marra së bashku. Kurrë ndonjëherë në këtë vend vjedhje të tilla që tejkalojnë vjedhjet e 110 viteve nuk kanë ndodhur siç ndodhin me këtë qeveri. Ndaj i ftoj shqiptarët të ngrihen në një protestë për dinjitetin, ekzistencën, qenien dhe të ardhmen.”– deklaroi Berisha.