Çmimi i energjisë do të mbetet i pandryshuar për konsumatorët, vetem në muajin tetor, duke bërë kështu që fasha 800 kWh të pezullohet.
Enti Rregullator i Energjisë, në mbledhjen e Bordit këtë të premte, u ndal në analizimin e aplikimeve të Furnizuesit të Shërbimit Universal dhe Korporates Elektroenergjetike Shqiptare për pezullimin e tarifës 42 lekë për çdo kilovat të konsumuar mbi fashën 800 kWh per muajin tetor.
Sipas Entit, kjo kërkesë vinte në kushtet e përmirësimit të situatës hidrike në vend por edhe sigurimit të sasisë së nevojshme të energjisë për muajin tetor që i është kaluar Furnizuesit me të njëjtat çmime si para vendimit.
Enti miratoi pezullimin e fashës për muajin tetor por nënvizoi se çmimi 42 lekë/kWh mbetet në fuqi periudhën 1 nëntor-31 dhjetor të këtij viti. Kjo mund të ndryshojë nëse operatorët e tregut do të aplikojnë pranë Entit dhe të tregojnë në mënyrë të detajuar kostot e sigurimit të energjisë.
Çmimi me të cilën FSHU do të sigurojë energjinë mbetet 2.6 kWh duke qenë se këto të dhëna erdhën vetëm ditën e djeshme Enti sot po zhvillon këtë mbledhje. Dua tju them që vendimi që kemi marrë në me herët në 27 shtator pavarësisht se tani jemi në tetor nuk ka efekt për konsumatorët familjarë pasi faturimi i tetorit realizohet në fund të muajit. Për të qenë të drejtë me konsumatorin përcaktimi i tarifës bëhet mbi kosto të drejta dhe reale dhe në momentin që shfaqet ulje e kostot ne po marrim masa” tha Petrit Ahmeti Kryetar i ERE.
Referuar aplikimit të bërë së fundmi në ERE rezulton që për konsumatorët familjarë dhe për ata në tension të ulët, energjia që KESH po i kalon FSHU ka një kosto 2.6 lekë/kWh kurse energjia me të cilën po furnizohen bizneset në tension të mesëm 6,10,20 kilovolt po sigurohet për 12 lekë. Bëhet fjalë për ato biznese që duhet të kishin dalë në treg të lirë që nga fillimi i këtij viti por për shkak të çmimeve të larta në tregun e lirë po mbahen me çmime preferenciale në tregun e rregulluar
Enti bëri me dije se çmimet do të jenë objekt rishikimi në vazhdimësi për të pasqyruar çdo ndryshim që ndodh qoftë në aspektin e situatës hidrike ashtu edhe për çmimet në bursa. Në këto kushte sipas kreut të Entit brenda datës 28 tetor do të shihen të dhënat financiare që do të vijnë nga kompanitë e energjisë të cilat do të shoqërojnë aplikimet e tyre në rast se ka ndryshime.
“Duke qenë se ekzistojnë mundësitë e rivlerësimit në rast se kostoja do të mbetet e njëjtë dhe tarifa e miratuar nga asambleja e KESH do jetë e njëjtë për të gjithë konsumatorët atëherë dhe Enti do të vijojë të reflektojë nëse do të lërë në fuqi të njëjtin vendim të 23 shtatorit” tha Ahmeti.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor