Hektor Psatha është 44-vjeçari që ndërroi jetë sot si pasojë e një aksidenti në autostradën Tiranë-Durrës, kur makina me të cilën po udhëtonte doli nga rruga. Ai sipas disa medieve, do të festonte sot ditëlindjen.
Psatha është një emër i njohur për futbolldashësit, pasi është një ish-lojtar i ekipit të Teutës, por edhe i kombëtares shqiptare. Ai ka marrë pjesë dhe në dy kampionate botërore.
Por Psatha është i njohur edhe për Policinë, pasi në vitin 2017 u arrestua nën akuzat për shfrytëzim prostitucioni dhe shpërndarje lëndësh narkotike, kryesisht kokainë.
Sipas Policisë, Psatha pësoi aksident herët mëngjesin e sotëm pasi humbi kontrollin dhe mjeti i tij doli nga rruga. “Në orët e para të mëngjesit, në autostradën Tiranë-Durrës, një automjeti me drejtues shtetasin H. P., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 13 Durrës, ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka humbur jetën drejtuesi i automjetit.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.”- njoftoi Policia.
Ai ka qenë së bashku me një shok dhe të dy po ktheheshin nga Tirana për në Durrës.