Të shtëna me armë janë regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Shkodër. Sikurse bëjnë me dije uniformat blu, është qëluar në drejtim të një automjeti në aksin rrugor “Shkodër-Vau i Dejës”. Për fat të mirë nga kjo ngjarje nuk ka të lënduar.
Makina tip “Toyota” drejtohej nga 42-vjeçari me inicialet A.B., i cili pas ngjarjes ka njoftuar autoritetet. Ai ka treguar se makinën e kishte marrë me qira.
“Rreth orës 02:00, shtetasi A. B., 42 vjeç, banues në fshatin Mjedë, ka njoftuar sallën operative se në aksin rrugor ‘Shkodër-Vau i Dejës’, në rrugën e fshatit Vukatane, Shkodër, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip ‘Toyota’, të cilin e kishte marrë me qira, duke shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale.
Është ngritur menjëherë grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.”- thuhet në njoftimin e Policisë.